Kurti bashkëbisedoi me studentët austriakë: Kosova, histori suksesi

17 maj 2023 | 12:58

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë.

Me këtë rast, Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij të përzemërt për Akademinë Diplomatike të Vjenës lidhur me organizimin e këtij udhëtimi studimor, i cili sipas tij “na lejon të diskutojmë dhe eksplorojmë arritjet e Republikës sonë”.

Para studentëve, kryeministri Kurti ka folur për 15- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sfidat, arritje e sukseset.

Po ashtu, Kurti ka veçuar edhe qëndrimin ambicioz të qeverisë që ai udhëheqë ndaj reformave demokratike në të gjithë sektorët e qeverisë, veçanërisht sigurimin e një sistemi më të fortë të mirëqenies, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe përforcimin e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe rritjen e ekonomisë.

Ky progres, ka thënë Kurti është njohur gjerësisht nga raporte të shumta ndërkombëtare, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një histori suksesi në shtetin e demokracisë.

Në këtë takim të kryeministrit Kurti me studentët nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sara Ahmeti nga Vitia shpall të pavlefshme diplomën e Bachelor…