HISTORIA E NJË FOTOGRAFIE

19 maj 2023 | 09:48

Shkruan: Blerim Latifi

Kjo është një ndër fotografitë më ikonike në historinë e fototekës shqiptare. Në të shihet Azem Galica me një pjesë të çetës së tij.

Po cila është historia e kësaj fotografie?

Ajo është bërë në Shkodër në vitin 1920. Autori i saj është i famshmi Kel Marubi. Në dimrin e atij viti Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, kishte thirrur një takim të madh me prijësit e grupeve të armatosura që vepronin brenda Kosovës kundër sundimit serb.

Ato vepronin të pavarura nga njëra tjetra dhe pa pasur ide të qarta politike. Në këtë kontekst shtrohej nevoja për bashkimin tyre nën një prijës të përbashkët, i cili do të merrte udhëzime politike nga Komiteti në Shkodër.

Po cili do të mund të kryente këtë rol?

Dolën tri propozime?

Hasan Prishtina propozoi Mursel Ahmet Delinë, i cili në fotografi, i veshur me tirq të bardhë, pozon në krahun e djathtë të Azem Galicës. Bajram Curri propozoi Ramë Binakun e Deçanit, luftëtar i njohur që nga koha e Perandorisë Osmane.

Ndërkaq, Sadik Rama propozoi Azem Galicën. Në fund, me pajtimin e Mursel Ahmetit dhe Ramë Binakut, u vendos për propozimin e tretë. Me të ardhur pranvera grupet e armatosura, që zakonisht dimrin e kalonin në Shqipëri, do të hynin njëra pas tjetrës në Kosovë.

Një seri sulmesh do të bëheshin mbi stacionet e xhandarmërisë serbe në shumë pjesë të Kosovës, duke filluar me Bajçinovcët e Popovës që do të godisnin në Llap, pastaj me Azem Galicën që do sulmonte në Drenicë dhe Ramë Binaku në Dukagjin.

Kështu, Kosova e shkretë, e braktisur nga e gjithë bota, nuk donte të pranonte fatin e nënshtrimit serb. Ajo kishte dhënë shumë për lirinë e Shqipërisë dhe nuk donte gjë tjetër veçse t’i bashkohej kësaj lirie. Kjo ëndërr ende nuk është përmbushur krejtësisht, por krejt shenjat flasin se historia po ecë në atë drejtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besim ZYMBERI Vendi: Burgu-Kampi I Përqendrimit në Dubravë-Istog; Administrimi formal…