Konjufca: Masakra e Dubravës, një nga masakrat më të paimagjinueshme ndaj të burgosurve shqiptarë

22 maj 2023 | 14:23

Në 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe në nder të 117 të burgosurve të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Konjufca në fjalën e tij ka theksuar se forcat serbe i urdhëruan të burgosurit në Burgun e Dubravës që të grumbulloheshin, me arsyetimin se do t’i transferonin në një burg tjetër por pak minuta më vonë filloi një nga masakrat më të paimagjinueshme ndaj të burgosurve shqiptarë.

“Policët serbë, në mesin e tyre edhe të burgosur serbë të liruar dhe të armatosur nga zyrtarët e burgut, filluan të qëllojnë me armë automatike dhe të hedhin granata dore mbi trupat e ekspozuar të 980 të burgosurve, shumica prej tyre pengje lufte dhe të burgosur politik. Për disa ditë radhazi të atij maji të vitit 1999 ekzekutuesit serbë u futën brenda ambienteve të burgut duke qëlluar mbi këdo që gjenin, teksa të burgosurit përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit dhe të gjenin një vend për t’u fshehur. Të mbijetuarit e kësaj masakre tregojnë se ato ditë jeta dhe vdekja qëndronin të zhveshura krejtësisht përballë fatit të kulluar, teksa dihej qartazi se ata po masakroheshin vetëm sepse ishin shqiptarë”, ka thënë ai.

Konjufca ka theksuar se numri i të plagosurve mes qindra të mbijetuarve në Masakrën e Dubravës e tejkalon atë të të vrarëve.

“Këta të mbijetuar janë që të gjithë dëshmitarë të ekzekutimit të organizuar në mënyrë shtetërore, brenda një burgu të shndërruar në kamp të shfarosjes në masë, nga aparati shtetëror gjenocidal i Serbisë. Ky krim kundër njerëzimit, një nga aktet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, akoma nuk është ndëshkuar dhe drejtësia për të vrarët e për të mbijetuarit akoma nuk është vendosur në vend”.

“Në këtë aktualitet politik ndërkombëtar të ndarë mes vendeve demokratike dhe vendeve që mbështesin aktivisht apo pasivisht spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin si mjet lufte, marrja përsipër e çështjes së masakrës së Dubravës nga drejtësia ndërkombëtare nuk do të ishte vetëm drejtësi për viktimat, por do të ishte edhe konfirmim i qartësisë politike në sferën e vlerave të demokracisë dhe në rendin gjeopolitik”, është shprehur Konjufca.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka udhëtuar…