Ademi dhe Rama pajtohen për stadiumin e ri në kryeqytet

23 maj 2023 | 16:28

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në takim kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Në këtë takim ata kanë diskutuar rreth projektit për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet. Ky takim kishte për qëllim koordinimin ndërinstitucional për ndërtimin e këtij stadiumi të rëndësishëm për futbollin e Kosovës dhe komunitetin e Prishtinës në përgjithësi.

Kreu i FFK-së dhe i pari i kryeqytetit u pajtuan për të bashkëpunuar për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm. “Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane. Ky stadium do të jetë një vend i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve të tjera sportive dhe eventeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës ta ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë. Kryetari Rama ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë. Të dy krerët e institucioneve janë zotuar të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht për organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i ka dhuruar kryetarit Rama fanellën e Përfaqësueses së Kosovës dhe e ka falënderuar për gatishmërinë e tij për të kontribuar në zhvillimin e futbollit të Kosovës. Ata kanë shprehur vullnetin për të nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit në përputhje me praktikën e krijuar me komunat e tjera të Kosovës. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e futbollit të Kosovës dhe në ngritjen e nivelit të klubeve në kryeqytet.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten pritet ta kryejnë betimin Ilir Peci si kryetar…