Ballkani: Ndeshja ndaj Gjilanit zhvillohet në Suharekë
Ballkani ka arritur të mbrojë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Kampionët ndeshjen e fundit në kampionat janë mysafirë të Gjilanit, por me marrëveshje me klubin gjilanas dhe Federatën e Futbollit të Kosovës kjo ndeshje do të zhvillohet në Suharekë.
“Festa e mbrojtjes së titullit kampion, zhvendoset e tëra në qytetin e kampionëve. Duke gjetur gjuhë të përbashkët me skuadrën e Gjilanit dhe duke i falënderuar përzemërsisht për mundësinë e dhënë që të festojmë në qytetin tonë, gjithashtu dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, ju bëjmë me dije se përballja e fundit kampionale, do të luhet në stadiumin e qytetit në Suharekë. Falënderim i veçantë edhe për FFK-n. Mirupafshim të dielën në qytetin tonë, ora 15:00”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Ballkanit.