Dyshimet për kurdisje në Superligë, reagon Daulina Osmani

29 maj 2023 | 10:27

Kampionati 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll është mbyllur me dyshimin për kurdisje në dy ndeshjet përcaktuese për skuadrën që do të binte nga elita dhe për atë që do të përfundonte në barazh.

Lidhur më këto dyshime ka reaguar edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), Daulina Osmani. E dyta e MKRS-së ka kërkuar nga organet kompetente t’i hetojnë ndeshjet në fjalë, duke insistuar se “nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve”.

“Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Postimi i plotë i Osmanit pa ndërhyrje:

Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën 89 dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.

Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.

Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet.

Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment.

 

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylian Mbappe ka premtuar se do të qëndrojë në Paris…