Pacolli reagon për situatën në veri: Të ndalen sulmet e nxitura dhe të orkestruara nga Beogradi

29 maj 2023 | 23:32

Presidenti i AKR-së, deputeti Behgjet Pacolli ka dënuar sulmet në veri ndaj KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

“Gjithashtu shpreh shqetësimin tim për eskalimin e situatës dhe bëj thirrje që të ndalen sulmet e nxitura dhe të orkestruara nga Beogradi. Në të njëjtën kohë shpreh idenjatën time me veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Republikës së Kosovës. Injorimi i kërkesave të aleatëve të vendit tonë dhe moskoordinimi i veprimeve nuk janë në interesin e Republikës së Kosovës me aleatet. Për këtë i bëj thirrje qeverisë që të rikthehet traditës disa dekadëshe të ndërtuar në Republikën e Kosovës për koordinim me aleatët amerikanë dhe evropianë”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Ai ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës mbrohet vetëm kur kemi koordinim me garantuesit e sigurisë së Republikës së Kosovës, aleatët amerikanë dhe evropianë në NATO.

“Këto pamje të ditëve të fundit dhe posaçërisht sot, të eskalimit të gjendjes në veri, nuk ndihmojnë Republikën e Kosovës dhe vetëm e fusin vendin tonë në konfrontim të panevojshëm me aleatët, në kohën kur kemi më shumë nevojë për progres dhe zhvillim duke promovuar bashkërendimin me aleatët tanë”, ka shkruar Pacolli.

Ai të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë dhe shpreson që gjendja të normalizohet në veri dhe mospajtimet të adresohen duke u koordinuar me aleatët tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka mbetur akoma i bllokuar…