Dyshimet për kurdisje në Ferizaj e Mitrovicë, reagon kryetari i KOK-ut

30 maj 2023 | 11:43

Xhiro e fundit e Superligës së Kosovës në futboll ngjalli reagime të shumta nga opinioni sportdashës në Kosovë për shkak të dyshimeve se mund të jenë kurdisur ndeshjet Trepça ’89 – Prishtina dhe Ferizaj – Dukagjini.

Në këtë të fundit, portieri i Dukagjinit pranoi një gol që po konsiderohet si pranim i qëllimshëm duke ia dhënë fitoren Ferizajt që rrjedhimisht solli edhe sigurimin e barazhit të kësaj skuadre për mbetje në Superligën e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër e pësoi Trepça ‘89 që ka rënë tashmë në Ligën e Parë.

Në lidhje me këto dyshime, ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Presidenti i shtëpisë më të madhe të sportit në Kosovë, Ismet Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se janë fuqishëm kundër këtyre dukurive negative që e dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të sportit kosovar, në këtë rast të futbollit.

Ai ka shtuar se beson tek organet kompetente brenda Federatës së Futbollit të Kosovës se do të marr masat e duhura nëse dyshimet e tilla konfirmohen.

“KOK është fuqishëm kundër dukurive të tilla negative që dëmtojnë imazhin e mirë që sporti dhe në këtë rast futbolli kanë krijuar në arenën ndërkombëtare. Ne besojmë fuqishëm tek organet kompetente të FFK-së, që të marrin masat e duhura, në rast se vërtetohet që ka pasur dukuri të tilla.”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Këshilli për Sport dhe Ministria e Sportit tashmë kanë konfirmuar se kanë kërkuar nga prokuroria që të nis hetimet për këto dy ndeshje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen është shpallur me shumë fat kampion në Gjermani,…