Raportuesi për Ballkanin në Bundestag kërkon të shqyrtohet mundësia e shtimit të trupave të KFOR-it

30 maj 2023 | 13:22

Deputeti i Bundestagut, Adis Ahmetoviq, i cili është edhe raportues për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin gjerman, ka thënë se sulmet e paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë duhet të dënohen në termat më të ashpër të mundshëm.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se duhet të shqyrtohet mundësia që të shtohet numri i trupave të KFOR-it në Kosovë në hijen e situatës aktuale.

“Ngjarjet dhe sulmet e fundit ndaj ushtarëve të KFOR/NATO-s si dhe ndaj civilëve në qytetet veriore të Kosovës janë të papërgjegjshme dhe përfaqësojnë një nivele të reja të ulëta në marrëdhëniet e acaruara të Serbisë dhe Kosovës. Sulme të tilla të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse duhet të dënohen në termat më të ashpër të mundshëm”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se këto tensione janë dëshmi e mëtejshme se të gjitha palët e përfshira më në fund duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund “spirales së dhunës që është përshkallëzuar sërish gjatë vitit të kaluar”.

Deputeti boshnjak i Bundestagut, ka thënë se të dy vendet po kërkojnë anëtarësimin në BE, por pa një marrëveshje themelore kjo do të mbetet e kotë për të dyja shtetet.

“Sulmet e djeshme gjithashtu bëjnë të qartë se KFOR-i është ende i nevojshëm pas 24 vitesh për të ofruar stabilitet dhe siguri. Një rritje në kontigjentin ekzistues të trupave duhet gjithashtu të shqyrtohet në dritën e situatës aktuale, në mënyrë që të jetë në gjendje të ndërhyjë më me vendosmëri në rast emergjence. Duke vepruar kështu, misioni i KFOR-it është dhe mbetet i paanshëm në misionin e tij për demokraci dhe siguri dhe nuk njeh ngjyrën e lëkurës, fenë apo përkatësinë etnike”, ka thënë ai në një komunikatë të lëshuar për medie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë…