Pirja e duhanit, kërcënim për shëndetin publik në Kosovë

31 maj 2023 | 14:54

Nën moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP) është shënuar Dita Botërore pa Duhan.

Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, ka thënë se duhani është kërcënim për shëndetin publik në Kosovë, andaj duhet të ulët niveli i konsumimit të tij.

Ai ka thënë se këtë vit fushata për Ditën Botërore Pa Duhan u bënë thirrje qeverive dhe politikë-bërësve që të zhvillojnë politika dhe strategji të përshtatshme dhe të përkrahin fermerët në rritjen e kulturave ushqimore dhe jo të duhanit, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë do t’u siguronin atyre dhe familjeve të tyre një jetë më të mirë.

“Rezultatet e hulumtimit STEPS 2019 treguan se 25.7 për qind e të anketuarve të rritur, në Kosovë përdorin duhan (35.3 për qind meshkuj dhe 15.9 për qind femra), 23.2 për qind e tyre kanë përdorë duhan në baza ditore (32.3 për qind meshkuj kundrejt 13.9 për qind femra). Nga krahasimi i rezultateve të STEPS 2019 në raport me rezultatet e STEPS 2011 del se kemi tendencë të zvogëlimit të përdorimit të duhanit, pasi që në vitin 2011, 28.4 për qind e të anketuarve në Kosovë përdornin duhan (37.4 për qind meshkuj dhe 19.7 për qind femra), dhe 25.6 për qind kanë përdorur duhanin në baza ditore (35.2 për qind meshkuj dhe 16.3 për qind femra)”, ka theksuar Ramadani.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se para dhjetë vjetësh, Kosova miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit, me qëllimin kryesor që të mbrohet shëndeti i popullatës me theks të veçantë që të mbrohen gjeneratat e reja.

Por, sipas saj, ndërhyrjet e vazhdueshme të industrisë dhe kompanive të duhanit, përkrahja politike e diskutueshme për zbatimin e ligjit dhe kapacitetet e kufizuar mbikëqyrëse, ndikuan në uljen e nivelit të zbatimit të ligjit duke kufizuar efektet pozitive të ligjit.

“Me qëllim të forcimit të zbatimit dhe monitorimit të ligjit, ditë më parë Qeveria e Kosovës formoi Këshillin Ndërministror për Kontrollin e Duhanit; jemi duke ndërtuar një plan të monitorimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit; do të miratojmë dhe implementojmë së shpejti edhe Udhëzimin Administrativ për Vërejtjet e kombinuara shëndetësore dhe do të mbajmë përgjegjës për zbatim të ligjit të gjitha institucionet që kanë mandate ta zbatojnë ligjin”, ka pohuar ajo.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për vazhdimin e aksionit për respektimin e ligjit dhe parandalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Ai ka theksuar se MBPZHR-ja, respektivisht AUV-i, përmes inspektoratit të saj tani e disa muaj ka dinamizuar kontrollet e pirjes së duhanit në hapësira publike. Për një periudhë prej fare pak muajsh, sipas tij, janë inspektuar mbi 4 000 inspektime dhe janë shqiptuar 535 gjoba.

Shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Oleksandr Martynenko, ka dhënë disa mesazhe kyçe lidhur me Ditën Botërore pa Duhan.
Ai ka theksuar se një person çdo katër sekonda vdes nga duhani.

Gjithashtu, Martynenko tha se përdorimi i cigareve elektronike, çamçakëzëve me nikotinë- të gjitha dëmtojnë shëndetin.

Ndërsa, bëri thirrje për zbatim më të rreptë të politikave dhe rregulloreve për ndalimin e duhanit në hapësira publike.

Arben Lila nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), ka theksuar se se prindërit në Kosovë janë të shqetësuar lidhur me fushatën agresive të rekrutimit të fëmijëve nga industria e duhanit, për duhanpirjen përmes e-cigareve dhe ‘vaping’.

Po ashtu, ai ka thënë se duhet të ndalohen rreptësisht reklamat në emisione televizive dhe në radio të këtyre produkteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar ftesën…