Haradinaj kërkon mocion mosbesimi për qeverinë: Kurti ka shkuar në ekstrem, ka nxitur konflikt në veri

31 maj 2023 | 16:32

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë së AAK-së, Haradinaj ka thënë se situata  në veri është e rëndë, duke shtuar se përgjegjës është kryeministri Albin Kurti.

Për shkak të kësaj, Haradinaj ka thënë se Kurti duhet të largohet nga pushteti pasi sipas tij paraqet rrezik për vendin.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se zgjidhja e vetme për këtë është nisja e mocionit të mosbesimit për qeverinë Kurti, pasi sipas tij kryeministri ka shkuar në ekstrem.

Më tutje, ai ka thënë se kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me ShBA, ka nxitur një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në. Do të fillojmë diskutimet me spektrin  politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me ShBA-në, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”.

“Ajo që e bënë këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave sekretarit amerikan. Kurti ka shkuar në ekstrem me garantin tonë të sigurisë. Jemi falënderues Policisë së Kosovës. Kemi filluar komunikimin e ndërsjellët me grupet parlamentare. Nuk besoj që është çështje pozitë e opozitë”, ka thënë ai. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Admirali i NATO-s, Stuart B. Munsch i cili është komandant…