Haradinaj kërkon nga deputetët të votohet shkarkimi i Kurtit

02 qershor 2023 | 12:20

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të procedohet me shkarkimin e kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas tij Kurti ka kultivuar mosbesim deri në pabesi në raportet me aleatët e Kosovës.

Një mosbesim të tillë, Haradinaj ka thënë se Kurti e ka bërë edhe në fjalimet që ka mbajtur, e që sipas kreut të AAK-së fjalime të tilla ngjajnë me ato të kryediplomatit rus, Sergi Lavrov.

Haradinaj ka thënë se ajo që ka bërë Kurti s’është thjesht mosbesim, por mosbesim që shkon deri në pabesi.

“Mosbesim deri në pabesi. Kurti i sotëm, ka kultivuar mosbesim. Mosbesim edhe me aleatët, përfshirë edhe Amerikën. Në raste të caktuara është ekspozuar me fjalorin e tij që i ngjason Lavrovit apo shokëve të tij. Kjo i ndodhi edhe tash së fundi. Kjo po ndodh tashmë si institucion, si qeveri, si rezultat i këtij mosbesimi deri në pabesi, po ndodhin ndëshkime direkte për Kosovën. Mosbesim deri në pabesi, jo befasi”, ka thënë Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, Haradinaj ka propozuar që Kurti të shkarkohet dhe të ndalen këto veprime kundër shtetit të Kosovës.

“Kush përfiton nga mashtrimi që Kurti ua ka bë njerëzve të Kosovës e aleatëve deri në tradhti? Fiton Rusia, Serbia dhe bandat. Për këtë arsye ju propozoj të gjithë deputetëve të shkojmë në mocion, ta ndërpremë këtë pabesi e ta shkarkojmë kryeministrin Kurti”, ka theksuar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviq, në një intervistë për “Gazzetta Dello…