Escobari: Asociacioni me standardet e BE-së nuk është kërcënim, politika jonë s’ka ndryshuar kurrë

07 qershor 2023 | 11:15

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk duan ta kopjojnë Dejtonin (marrëveshjen që i dha fund luftës në Bosnjë më 1995) në Kosovë, derisa ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në një intervistë për mediumin boshnjak, “Klix.ba”.

Escobari ka thënë se Asociacioni të cilin e sheh ShBA-ja është aftësi e serbëve për t’i organizuar institucionet lokale në gjuhën e tyre dhe “asgjë më shumë”.

I pyetur se “kush mund të garantojë që nesër ndonjë grup tjetër etnik në Serbi, Mal të Zi apo diku tjetër nuk do të kërkojë autonomi shtesë apo status special” duke marrë shembull nga ky asociacion, Escobar ka thënë se “çështja e Kosovës është e veçantë”.

“Ne nuk duam ta kopjojmë Dejtonin në Kosovë apo Kosovën në Maqedoninë e Veriut apo në Mal të Zi. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë anëtarë të atyre institucioneve që kërkojnë mbrojtjen e kombeve pakicë në përputhje me standardet e BE-së. Ne shohim që Asociacioni është në përputhje me standardet e BE-së. Ne e shohim Asociacionin si asgjë më shumë sesa aftësinë e serbëve për t’i organizuar institucionet lokale në gjuhën e tyre. Ne nuk shohim ndonjë kërcënim në këtë dhe nevojën që vendet e tjera që janë tashmë në rrugën evropiane të bëjnë diçka tjetër që nuk po e bëjnë tashmë për t’i zbatuar reformat që BE-ja ua kërkon atyre”, ka thënë Escobari.

Diplomati amerikan ka thënë se politika e ShBA-së “nuk ka ndryshuar kurrë”, duke iu përgjigjur pyetjes për “një qasje të re amerikane në Ballkan” dhe nëse Amerika “po krijon një rend të ri”.

“Dhe pse nuk e përkrahni kaq hapur, për shembull, Procesin e Berlinit, nëse e mbështetni Ballkanin e hapur?”, ka pyetur gazetari.

“Politika jonë nuk ka ndryshuar kurrë. Ju jeni rajoni me rritjen më të shpejtë në BE. Fatkeqësisht, Bosnja e Hercegovina u përjashtua nga ajo për shkak të mosfunksionimit politik. Pjesa tjetër e rajonit po rritet shumë mirë. Ne mbështesim çdo iniciativë që ju afron në rrugën drejt BE-së. Jam plotësisht dakord me Procesin e Berlinit, CEFTA-n si dhe Ballkanin e Hapur përderisa është i hapur për të gjithë. Për ne nuk ka dilemë mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Ne nuk po krijojmë një strukturë të re në Ballkan. Është një rrëfim toksik i prodhuar nga ata që duan ndarje”, ka thënë Escobari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën një grua ka vdekur në Vushtrri pasi ka…