Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

08 qershor 2023 | 20:13

Me 5 dhe 6 qershor në Sarajevë është mbajtur tryeza me temën “Bashkëpunimi me shoqërinë civile për të përmirësuar kuptimin dhe ndikimin e Institucioneve Supreme të Auditimit” e organizuar nga Zyra e Auditimit të Bosnjës dhe Hercegovinës me mbështetjen e SIGMA-s në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkiminin Evropian dhe në Gjykatën Evropiane të Auditorëve.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet anëtare të Rrjetit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe nga Mali i Zi.

Në kuadër të kësaj tryeze u diskutua edhe draft dokumenti “Rritja e ndikimit përmes angazhimit të jashtëm” i përgatitur nga SIGMA me kontributin e ISA-ve nga Rrjeti dhe prezantimin e praktikave nga vendet evropiane.

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci dhe Zyrtarja për Komunikim me Media, Shqipe Hetemi.

Hapjen e punimeve të tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm i Bosnjës dhe  Hercegovinës, Hrvoje Tvrtkovic, duke e vlerësuar tejet të rëndësishme mbajtjen e këtij aktiviteti dhe shkëmbimin e përvojave të bashkëpunimit me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese.

Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijašević, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës.

Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë.

Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme.

Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i AKR-së, Behgjet…