Kurti refuzon të përgjigjet për draftin që Rama ua dërgoi Scholzit e Macronit

10 qershor 2023 | 15:01

Kryeministri Albin Kurti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve , lidhur me draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që ka propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kur është pyetur nga gazetarët, ai tha se janë në Prizren, ku janë mbledhur të gjithë se bashku e se lidhja është e gjallë dhe e fortë.

“Jemi këtu në Prizren, në kryeqytetin historik e kulturor. Siç po e shini të dy presidentët janë këtu, ministra e deputetë. Lidhja është gjallë edhe e fortë”, tha Kurti.

Ndryshe, Rama ka njoftuar para dy ditësh se ua ka propozuar Gjermanisë dhe Francës një draft të statuit të Asociacionit.

Ai ka konfirmuar se ua ka dërguar draftin presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe se e ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Rama thotë se e ka marrë këtë iniciativë duke e ditur se do të vinin gjërat në pikën kur Kosova dhe Serbia s’do të merren vesh. Ai ka thënë se drafti është në pajtim me gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë. Palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruaj këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti. Është dokument konfidencial që s’pretendon të jetë zgjidhja ideale por është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Uroj që ky material do të vlej për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete”, ka deklaruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy takimet e…