Dita e Çlirimit të Kosovës, Krasniqi pret rikthimin e shpejt të çlirimtarëve nga Haga

12 qershor 2023 | 13:47

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuuar për çlirimin e Kosovës.

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Krasniqi ka shprehur respektin më të lartë për dëshmorët e UÇK-së dhe partnerët ndërkombëtarë.

Po ashtu, Krasniqi në këtë ditë nuk ka harruar t’i përmend as liderët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselit, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit dhe të tjerët të cilët janë duke u përballur me drejtësinë në Hagë.

“Me besimin në pastërtinë e luftës për liri dhe në rikthimin e shpejtë të çlirimtarëve tanë në mesin tonë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

Me kujtimin për qindra e mijëra qytetarë të vendit tonë, të cilët, ndër breza, sakrifikuan gjithçka që patën për liri;

Me nderimin për mijëra luftëtarë të UÇK-së, dëshmorë, invalidë e veteranë, të cilët me heroizimin dhe flijimin e tyre mundësuan dhe shtruan rrugën tonë të drejtë;

Me dhembjen më të madhe e të paharruar për martirët, viktimat civile, të zhdukurit, gratë e dhunuara dhe refugjatët – viktima të një sistemi gjenocidal;

Me besimin në pastërtinë e luftës për liri dhe në rikthimin e shpejtë të çlirimtarëve tanë në mesin tonë;

Me respektin më të lartë për miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët, kur na duhej më së shumti, ishin aty për ne – për të finalizuar përpjekjen shekullore për liri;

Me ndjenjën më të thellë të falënderimit dhe mirënjohjes për veprimtarët, intelektualët, të burgosurit politikë, mësimdhënësit, mjekët dhe infermierët, minatorët, artistët, sportistët, mërgimtarët dhe gjithë popullin tonë, pa dallim, që asnjëherë nuk u ndalën së punuari e besuari për këtë ditë;

Me shpresën se e kaluara jonë, si popull dhe si shtet, do të shërbejë si shembull e orientim për të kultivuar e forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë edhe në të ardhmen;

Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autor: Samuel P. Huntington Koperinë e butë Format: B5 Faqe:…