Gazeta rumune shkruan për Kosovën: Ata janë shumë të mirë në letër, kjo është ana e dobët e tyre

12 qershor 2023 | 15:35

Përfaqësuesja e Kosovës të premten vazhdon me ndeshjen e radhës të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Dardanët” më 16 qershor do të përballen me Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet me fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.net.

Fitorja eventuale në Prishtinë do të ishte “jetike” për Kombëtaren kosovare, pasi vijnë nga dy rezultate zhgënjyese në muajin mars kur barazuan me Izraelin në udhëtim dhe Andorrën në Prishtinë (1:1).

Edhe për reprezentacionin rumun kjo sfidë është e rëndësishme pasi në rast të fitores do të bënin hap të madh.

Gazeta rumune “gsp.ro” i ka dedikuar një artikull të veçantë kësaj sfide, duke shkruar edhe për Kombëtaren e Kosovës.

Ata e kanë vlerësuar Kosovën si një përfaqësuese shumë të mirë në letër, duke pasur parasysh futbollistët që luajnë në disa liga të mëdha evropiane.

“Të premten, Rumania rifillon serinë kualifikuese për Euro 2024 nga vendi i dytë në grup, me pikët maksimale pas fitoreve ndaj Andorrës dhe Bjellorusisë. Takojmë për herë të parë kombëtaren e Kosovës, e cila ende nuk ka përfunduar një dekadë histori në përballje zyrtare. Një përfaqësuese që duket shumë mirë në letër”, shkruhet fillimisht në gazetën rumune.

Sipas tyre, Kosova dhe Rumania kanë ngjashmëri mes vete në disa raste, ani se dallimi mes tyre në ranglistën e FIFA-s dallon për 60 vende.

Gjithnjë sipas shkrimit të mediumit rumun, ana e dobët e Kosovës është se të besuarit e Alain Giresse pranojnë gola pas minutës së 60-të, dobësi kjo që është edhe në anën e Kombëtares së Rumanisë.

“Edi Iordanescu dhe stafi i tij e analizuan Kosovën në detaje dhe një nga përfundimet është se kosovarët kanë një rënie në gjysmë orën e fundit, në mbrojtje. Ata shënojnë, por edhe pranojnë shumë gola. Në 12 ndeshjet e fundit, në atë interval, kundërshtarët tanë kanë pësuar 9 gola nga 14, pra 64.24 për qind” – shkruhet më tutje.

Kosova dhe Rumania janë në Grupin I së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë dhe Andorrën. Pas Rumanisë, Kosova tri ditë më vonë luan në Budapest kundër Bjellorusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjilan është përuruar të hënën murali madhështor ‘Forca e…