Muriqi: Në ‘Fadil Vokrri’ vetëm për fitore

15 qershor 2023 | 11:39

Sulmuesi që luan në La Liga, Vedat Muriqi, ka shprehur optimizëm se tri pikët nga përballja me Rumaninë të premten do të mbesin në “Fadil Vokrri”. 

Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka thënë se dy ndeshjet e radhës kualifikuese janë shumë të rëndësishme për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

“Dardanët” fillimisht të premten përballen në Prishtinë me Rumaninë, kurse më pas përballë do të kenë Bjellorusinë. Sulmuesi shtatlartë ka thënë se në “Fadil Vokrri” s’ka opsion tjetër përveç tri pikëve në përballje me rumunët.

“Kryesorja është se jemi optimistë në radhë të parë, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë. Këto padyshim janë dy ndeshje kruciale. Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tri pikëve. Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje, po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara. Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër”, ka deklaruar Muriqi, i cili ka bërë me dije se “dardanët” shumicën e përgatitjeve i kanë kryer dhe se të enjten do të kenë një stërvitje me intensitet më të lehtë.

Sulmuesi që ka shkëlqyer në La Liga me fanellën e Mallorcas ka pasur edhe një mesazh për tifozët “dardanë”, duke thënë se ata gjithmonë e kanë mbushur stadiumin dhe e kanë përkrahur përfaqësuesen. “Ata gjithmonë na kanë përkrahur, edhe kur s’kemi luajtur mirë apo kemi qenë të dobët. Stadiumi gjithmonë ka qenë i mbushur nga tifozët. Ata vetëm duhet të kenë durim dhe të na përkrahin deri në fund të ndeshjes. Me euforinë që do të na japin besoj se do të jenë një forcë shtytëse për ne”, ka shtuar Muriqi.

Të mërkurën Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e parafundit nën përzgjedhësin Alain Giresse, kurse sot (e enjte) e zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Rumaninë.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sikur të mos mjaftonin thashethemet për një romancë të mundshme…