Trajneri i Spanjës: Ishim më lart se Italia, tani dua trofeun

16 qershor 2023 | 13:00

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka deklaruar se është krenar për lojtarët e tij dhe paraqitjen e bërë në suksesin kundër Italisë. Ai ka shtuar se “La Roja” e ka merituar plotësisht fitoren, ndonëse jo pa vështirësi.

“Këto janë ndeshje me vuajtje. Gjithçka kushton shumë kundër një kundërshtari si Italia, por më e rëndësishmja janë përfitimet që kemi marrë. Jam krenar për lojtarët e mi. Ne nuk kemi dyshuar kurrë në veten tonë. Ky është një proces, kërkon kohë dhe me të gjërat do të përmirësohen. Jemi të bindur se diçka e tillë do të ndodhte herët a vonë. Djemtë kanë bërë gjithçka që u kemi kërkuar. Loja ishte një shfaqje mjaft e bukur, veçanërisht në pjesën e dytë, ku e kemi dominuar takimin”, ka thënë Luis de la Fuente.

Trajneri i iberikëve ka komentuar dhe Hoselun dhe golin vendimtar të shënuar prej sulmuesit që flitet se mund t’i bashkohet Realit të Madridit në verë.

“Hoselu është një lojtar i madh. Ndryshimet tek ai kanë qenë fantastike. Por e gjithë skuadra është paraqitur mjaft mirë, te të gjithë kam vënë re një dëshirë për të fituar dhe për të arritur finalen. Mendoj se jemi me meritë atje dhe të dielën ndaj Kroacisë do të kërkojmë të fitojmë”, ka deklaruar Luis de la Fuente.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katie Price po realizon më shumë përmbajtje me pullë të…