Rasti ‘Klan Kosova’, Kusari-Lila: Vendimi nuk është arbitrar, i ka 30 ditë afat për argumentim

16 qershor 2023 | 13:08

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit është pyetur edhe për rastin e “Klan Kosovës”.

Ajo ka thënë se vendimi për pezullimin e certifikatës se biznesit nuk është arbitrar dhe se “Klan Kosova” ka të drejtë të argumentojë për afatin kohor të përcaktuar sipas ligjit.

“Kjo kërkesë e ka afatin 30 ditorë, që unë besoj se mediumi në fjalë e ka të drejtën e vet për të argumentuar se si qytetet e Kosovës përfundojnë në certifikatën e regjistrimit të biznesit në shtetin Serbi. Regjistrimi në fjalë daton në vitin 2020.  Në rrethana aktuale nuk flasim për adresë gabim, por denominim të shtetit, gjegjësisht emërtim të vendit në Republikën e Kosovës me emrin e shtetit Serbi”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka thënë se duhet të kërkohet përgjegjësi edhe nga përgjegjësit e mediumit për regjistrimin.

“Nuk po flasim për vendime arbitrare të njëanshme që nuk lënë hapësirë për t’u rishikuar apo vlerësuar në periudhë kohore siç është paraparë me ligj. Është mirë të pyeten përgjegjësit e një mediumi kredibil që synon me pasur shikueshmëri se në çfarë logjike dhe rrethane Peja e Gjakova gjenden në Serbi”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se përgjegjësi ka edhe zyrtari i ARBK-së që e ka pranuar dokumentacionin dhe jo vetëm ata që e kanë dorëzuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I transferuar në shkurt te skuadra e Dallas Mavericks, basketbollisti…