Abazoviqi: E porosita Kurtin që mos të hyjë në konflikt me ndërkombëtarët

20 qershor 2023 | 11:29

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se gjatë takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin katër ditë më parë, e ka porositur “që mos të hyjë në konflikt me ndërkombëtarët”.

“Më tha se tashmë ka kontakte me Brukselin dhe se do të ketë bisedime. Përshtypja ime është se ka vullnet për t’i tejkaluar problemet”, ka thënë Abazoviq në një intervistë për “RTV 21” në gjuhën maqedonase.

Abazoviqi ka theksuar se situata në Kosovë nuk do të përshkallëzohet, prandaj ka shtuar se “nuk është i qetë”.

“Por kur shohim se çfarë gjërash po ndodhin, nuk mund të jemi të qetë. Nuk është mirë t’i kthehemi politikës së viteve ’90-ta. Kur sheh disa skena, ke ndjesinë se është një ‘deja vu’ dhe unë mendoj se është keq”, ka thënë Abazoviqi.

Më tutje, Abazoviqi ka potencuar se Mali i Zi është i vetmi vend në rajon që nuk ka çështje të hapura me asnjë shtet në rajon, derisa ka shtuar se qeveria e tij nuk ndërhyn në marrëdhëniet e askujt.

Abazoviqi ka ripërsëritur se vendi i tij është i gatshëm të jetë vendi i dytë në rajon i cili mirëpret një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mund të ofrojmë mbështetje logjistike për një takim të përbashkët në vendin tonë. Jemi më se të gatshëm ta organizojmë, natyrisht në bashkëpunim me BE-në dhe ShBA-në”, ka thënë Abazoviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtares së famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, i ka…