Lajçaku dhe Escobari: Draft-statuti i Ramës për Asociacionin, ‘propozim serioz’

20 qershor 2023 | 15:47

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk dhe ai i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, i cili sipas tyre duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Lajçaku gjatë në një diskutim në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik në Uashington për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa Escobari ka thënë se ShBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

Të pyetur se cila është mënyra përpara për të dyja palët, zyrtarët perëndimorë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre të dala nga dialogu.

Escobari ka thënë se është e rëndësishme që të ketë zbatim të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve – të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër – përmes së cilit Serbia, veç tjerash, do të njihte simbolet e Kosovës dhe të drejtën e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kurse për Kosovën, Escobari ka thënë se është e rëndësishme që të nisë “menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit”.

Që të dy zyrtarët e kanë cilësuar si “propozim serioz” draft-statutin e Asociacionit, i cili është propozuar nga kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor, se ua ka dërguar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel…