Kurti për deklaratën e Escobarit: Nuk mund ta di kah mund të shkojë kriza e veriut

20 qershor 2023 | 16:58

Më herët gjatë së martës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

I dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë (situatën), do të kemi viktima”, ka thënë ai, përgjatë një bisede bashkë me Escobarin në Këshillin e Atlantikut në Uashington.

I pyetur për qëndrimin e Escobarit për situatën në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka drejtuar gishtin kah Beogradi.

“Kah mund të shkojë kriza e veriut, nëse nuk shtensionohet, unë nuk mund ta di sot, por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Herë me politikanë që rrinë afër me krimin e organizuar, herë me krimin që synon të politizohet, por qartazi faktorin dhe burimin e eskalimit do ta gjeni atje. Prandaj, nëse ka të drejtë emisari Escobar, atëherë adresa ku do të duhej të merremi, që të mos kemi konflikt rajonal, është Beogradi”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luiza Gega ka triumfuar në Kampionatin Evropian Ekipor të atletikës.…