Takimet në Bruksel, ‘me gjasë vetëm dypalëshe’

22 qershor 2023 | 12:18

Takimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për medie nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.

Takimet në kryeqendrën evropiane pritet të nisin pasditen e së enjtes.

“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që (palët) të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, është thënë në njoftimin e BE-së.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediet.

Kurti dhe Vuçiqi veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit, ka thënë se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të (Kurtin) nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për (Adem) Demaçin, pak për (Karl) Marx”, ka thënë Vuçiqi.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Ndërsa përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

Në anën tjetër, këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar për situatën në veri të Kosovës me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy zyrtarët perëndimorë kanë kërkuar shtensionimin e situatës në Kosovë. /REL

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Begzad Baliu Ramadan Thaçi u lind në Smallushë, Komuna…