ZKA-ja: MPB-ja dha mbi 100 mijë euro paga për punëtorët serbë që s’dolën në punë

22 qershor 2023 | 16:19

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e drejtuar nga Xhelal Sveçla, ka vazhduar pagesat për disa punëtorë nga komuniteti serb, pavarësisht se ata nuk kanë dalë në punë.

Madje, sipas raportit të ZKA-së për këto pagesa janë shpenzuar mbi 100 mijë euro gjatë vitit 2022.

“Bazuar në vendimin e qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish-MAP, ishte e obliguar t’i sistemojë 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile’. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474 euro”, është thënë në raportin ZKA-së për MPB-në.

Një praktikë e tillë, sipas ZKA-së ka ndodhur edhe më herët.

Përkundër kësaj, ZKA-ja ka bërë me dije se “ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve…Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të ministrisë”, është thënë në këtë raport.

Ministrit Sveçla i është rekomanduar “që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.

Sipas ZKA-së, pagesat e pagave, përkundër mosvijueshmërisë në punë, dëmtojnë buxhetin e ministrisë, rrjedhimisht, atë të shtetit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo merkato verore po jep frutat e para për të…