Muriqi udhëheq sulmin në formacionin e sezonit të Ligës së Kombeve

23 qershor 2023 | 10:47

Faqja e njohur e statistikave “Sofascore” ka publikuar formacionin më të mirë të sezonit 2022/24 në Ligën e Kombeve, e cila u mbyll para disa ditësh.

Sezoni i Ligës së Kombeve përfundoi më 18 qershor, ku Spanja triumfoi ndaj Kroacisë falë fitores në penallti me rezultat 5-4. Megjithatë, pjesë e formacionit më të mirë të të gjithë sezonit në Ligën e Kombeve gjendet vetëm një spanjoll dhe asnjë kroat. Portieri Unai Simon është i vetmi pjesë e formacionit me një notë mesatare prej 7.22. Por, ajo që bie në sy është prania e sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqit, i vetëm në majën e sulmit të formacionit më të mirë nga “Sofascore”.

Muriqi është i dyti me notën më të lartë në formacion, duke pasur mesatare prej 7.90, ndërsa para tij ishte vetëm Kvicha Kvaratskhelia me notë mesatare prej 7.95. Si sulmuesi i Kosovës, ashtu edhe ylli gjeorgjian patën nga 5 gola dhe 3 asistime, duke qenë më produktivët gjatë këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Pjesë e formacionit ishin edhe emra si Kostas Mavropanos, Nathan Collins, Igor Armas, Joshua Kimmich, Pierre Hojbjerg, Roberts Savalnieks, Anastasios Bakasetas dhe John McGinn.

Ndryshe, Kosova në sezonin e fundit ishte pjesë e Grupit 2 të Ligës C, ku përfundoi e dyta me 9 pikë, gjashtë më pak se Greqia e para dhe katër më shumë se Irlanda e Veriut e treta dhe Qipro e katërta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Policinë e Kosovës nuk dinë se prej nga po…