Malisheva nënshkruan me Fetahajn, përforcohen edhe Prishtina, Drita dhe Liria

23 qershor 2023 | 16:50

Klubet e Superligës në futboll janë duke vazhduar ndryshimet në radhët e veta. Malisheva, pasi zgjodhi trajnerin e ri të premten, është përforcuar me Liridon Fetahajn, një lojtar i dëshmuar në futbollin e Kosovës. Nga një transferim në 24 orët e fundit e kanë realizuar edhe Prishtina, Drita e Liria.

Futbollisti me një karrierë mjaft të pasur futbollistike, Liridon Fetahaj, është transferimi më i ri i skuadrës së Malishevës. Ish-futbollisti i Ballkanit ka qenë një nga lojtarët kryesor në rrugëtimin e Lirisë drejt rikthimit në Superligë, kurse pas përfundimit të kampionatit vendosi të ndahet me këtë skuadër. Ndërsa sot erdhi zyrtarizimi nga Malisheva për arritjen e marrëveshjes me futbollistin në fjalë. “Klubi njofton se ka kompletuar marrëveshjen për transferimin e Liridon Fetahajt nga Liria në Malishevë. Mirë se vjen, Liridon!”, thuhet në njoftimin e Malishevës, raporton “Epoka e re”.

Fetahaj ka shprehur optimizëm se do të arrijnë sukses. “Shpresoj t’i arrijmë objektivat së bashku. Falënderoj presidentin Driton Morina dhe stafin udhëheqës të Malishevës”, ka thënë Fetahaj. Malisheva një ditë më parë e zyrtarizoi edhe trajnerin e ri, Senad Alirifa. Ky i fundit dy vjet më parë ishte larguar nga Malisheva, kur klubi bënte gara në Ligën e Parë, por tash drejtuesit e skuadrës kanë besuar në trajnerin Alirifa. Ndërsa skuadra e Dritës, që përfundoi në vendin e dytë në Superligë, është përforcuar me një sulmues. Fjala është për Blerim Krasniqin. “Blerim Krasniqi do të jetë pika referente e sulmit i cili vjen nga një përvojë e gjatë në Superligën shqiptare. Blerimi ka qenë pjesë edhe e Superligës së Kosovës dhe, së fundmi, ka qenë pjesë e ekipit CS Mioveni nga Superliga e Rumanisë. Lojtari është pritur në zyrat e klubit nga drejtori sportiv Valon Zymberi dhe marrëveshja është nënshkruar  për periudhën dyvjeçare”, ka njoftuar klubi gjilanas.

Mbrojtësi Melos Zenunaj është futbollist i ri i skuadrës së Lirisë nga Prizreni. Qendërmbrojtësi ishte pjesë e Dukagjinit të Klinës, derisa me prizrenasit ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. “Pres të dëshmohem dhe me klubin të arrijmë objektivat”, ka thënë 22-vjeçari pas arritjes së marrëveshjes me “bardhezinjtë”.

FC Prishtina e ka transferuar mbrojtësin e krahut, Ermal Veliqi, i cili në skuadrën kryeqytetase vjen nga KF Drenica. Futbollisti 21-vjeçar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Prishtinën, ndërkohë që është paraqitur në ambientet e klubit nga drejtori sportiv, Driton Krasniqi. “Prishtina është klub i madh dhe me shumë traditë. Gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj për Prishtinën. Në këtë afat kalimtar kam pasur edhe shumë oferta të tjera, por atë të Prishtinës nuk mund ta refuzoja. Besoj se te Prishtina do të kaloj shumë mirë. Ambienti duket pozitiv. Synimet janë të fitojmë trofe”, ka thënë Veliqi.

Nderim Nexhipi largohet nga Ballkani

Nderim Nexhipi është larguar nga detyra e drejtorit sportiv në skuadrën e Ballkanit. Kampionët e Kosovës kanë njoftuar se Nexhepi është larguar nga skuadra për arsyeje familjare. “Në koordinim të dyanshëm, klubi e ka pranuar kërkesën e drejtorit sportiv, Nderim Nexhipi që, për shkaqe familjare, nuk mund ta vazhdojë qëndrimin e mëtutjeshëm në Kosovë. Duke e falënderuar për kontributin e çmuar në rrugëtimet tona të suksesshme, për të FC Ballkani gjithmonë do të mbetet një shtëpi e hapur”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
26.6.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Mitrovicë Nga …