Forcat e Wagnerit ndalojnë të lëvizin drejt Moskës

24 qershor 2023 | 20:08

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha të shtunën se ka urdhëruar forcat e tij të ndalojnë marshimin drejt Moskës dhe të tërhiqen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Yevgeny Prigozhin tha se njerëzit e tij ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës, por vendosi t’i kthente ata për të shmangur “gjakderdhjen ruse”.

Ai nuk tha nëse Moska i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Nga Kremlini nuk ka ende komente.

Presidenti i Bjellorusisë zhvilloi bisedime mePrigozhin…

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, zhvilloi bisedime me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, gjatë të cilave Prigozhin ra dakord t’i ndalojë trupat e tij të lëvizin drejt Moskës dhe “ta shtensionojë situatën”, raporton kanali rus i lajmeve Rossiya 24.

“Prigozhin pranoi propozimin e Lukashenkos për të ndaluar lëvizjen e Wagnerit në territorin rus dhe për hapat e mëtejshëm për uljen e tensioneve”, raporton Rossiya 24, duke cituar shërbimin për shtyp të Lukashenkos.

Sipas burimit të njëjtë, presidenti rus, Vladimir Putin, është dakorduar për këto bisedime.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin lëvizjet, pas raporteve se forcat mercenare të Wagnerit janë nisur në drejtim të kryeqytetit rus.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bisedoi me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për situatën në Rusi.

“Ata, gjithashtu, pohuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas saj, presidenti dhe nënpresidentja Kamala Harris do të vazhdojnë të informohen gjatë ditës për zhvillimet në shtetin rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata e fundit në Rusi ka nxitur reagimin e zyrtarëve…