Ahmeti: Debati për korrigjimin e kufirit ngjason më shumë si një debat i imagjinuar sesa diçka konkret

14 gusht 2018 | 12:59

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë për gazetën “Epoka e re” ka folur edhe për idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën me anë të korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ahmeti ka pohuar se debati për korrigjimin e kufirit ngjason më shumë si një debat i imagjinuar sesa diçka konkret.

“Unë Kosovën nuk e ndiej vend të huaj, por vend timin dhe angazhohem të jem sa më afër zhvillimeve atje. Tani Kosova ka institucionet e veta për të cilat ka luftuar dhe sakrifikuar me shekuj. Unë besoj tek institucionet e Kosovës. Besoj te Kuvendi i Kosovës, tek autoriteti i presidentit të Kosovës, tek autoriteti i kryeministrit të Kosovës, te kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe besoj te opozita e Kosovës se do t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës. Me rëndësi për ne është që rajoni të jetë sa më stabil dhe të mbyllet procesi i demarkacionit edhe me Serbinë. Përderisa më herët me sukses është përmbyllur demarkacioni me Maqedoninë dhe tani së fundi është mbyllur demarkacioni edhe me Malin e Zi, sigurisht se Kosova për ta pasur vendin në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe në OKB, duhet ta bëjë demarkacionin edhe me Serbinë. Deri më tani ky debat më ngjason më shumë si një debat i imagjinuar sesa diçka konkret. Unë nuk kam parë ndonjë diskutim apo ndonjë tryezë të rrumbullakët ku diskutohet për çështje konkrete”.

“Mendoj se demarkacioni edhe me Serbinë përfundimisht i ndihmon Kosovës për të qenë anëtar i të gjithë mekanizmave botërorë. Kjo çështje domosdo do të ndodhë. Unë besoj, siç thashë, në institucionet e Kosovës që kanë përgjegjësi në këtë drejtim. Mendoj se ky problem nuk zgjidhet pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar dhe pa angazhim të drejtpërdrejtë të NATO-s, Brukselit dhe Uashingtonit, sepse këta kanë qenë dhe mbeten partnerët tanë strategjikë. Këta kanë qenë ndihmuesit e drejtpërdrejtë që Kosova ka ardhur deri në këtë moment ku ndodhet tani”, ka thënë Ahmeti për “Epokën e re”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas humbjes në ndeshjen derbi ndaj Manchester Cityt (0-2), tifozët…