Kurti takohet në Londër me kryediplomatin britanik, bisedojnë edhe për situatën në veri

26 qershor 2023 | 11:25

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur të hënën në takim nga sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.

Në takim është folur edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen.

“Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi. Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer. Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar.”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në “Twitter: ka konfirmuar…