Kryeqyteti shpalosi planin e sigurisë për shkolla

26 qershor 2023 | 12:42

Kryeqyteti do të vendosë kamera të sigurisë në secilin institucion edukativ arsimor në Prishtinë, e po ashtu aty ku nuk ka, do të vendosen sistemet e sigurimit dhe shkollat do të pajisen me pako të ndihmës së parë.

Të gjithë nxënësit do të pajisen me uniforma, do të krijohet një kod etik për çdo IEAA dhe po ashtu do të krijohet një rregullore për përdorim të telefonave nga nxënësit e mësimdhënësit.

Në institucionet edukative arsimore nuk do të mungojë prezenca e policisë. Këto janë disa nga veprimet të cilat do t’i ndërmarrë Drejtoria e Arsimit për të ofruar siguri në shkolla.

Këto masa e të tjera u prezantuan të hënën nga drejtoresha e arsimit në kryeqytet, Besianë Musmurati. “Objektivat janë infrastrukture shkollore që garanton siguri, përmirësimi i klimës së shkollës, rritja e sigurisë nga shtëpia në shkolle dhe anasjelltas”, ka deklaruar Musmurati.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi punën e Drejtorisë së Arsimit në hartimin e këtij plani ku janë përfshirë edhe shumë institucione e organizata të tjera.

“Aktivitetet konkrete që ky plan paraqet për tu zhvillu brenda në klasë, punëtoritë e drejtuara nga psikologët dhe mësimdhënësit do t’i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë aftësi për identifikimin e dhunës, parandalimin e sjelljes delikuente, raportimin e dhunës, të menduarit kritik dhe reflektimin mbi dhunën ose ngacmimin e paqëllimshëm”, ka thënë Rama.

Në këtë plan janë të përfshirë edhe vetë nxënësit, të cilët po ashtu kanë mbajt fushatë vetëdijësuese “Çohu kundër dhunës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e hënë) do të jetë ditë zie në Pejë.…