Veliu për zgjedhjet e LDK-së në Podujevë: Dr. manipulatori, laboratori i Lumirit dhe komandant Xhaferi

26 qershor 2023 | 23:38

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka shkruar në “Facebook” për procesin zgjedhor të LDK-së në Podujevë, ku kryetar u zgjodh Ekrem Hyseni.

Veliu thotë se ky proces zgjedhor është manipuluar nga siç thotë ai “Kryetari i instaluar i LDK-së, ‘doku'”.

“Dr. manipulatori kishte suspenduar kryesinë, e procesin zgjedhor ia kishte besuar grupit punues, në këtë rast, grupit të besueshëm manipulues. Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor. Do të informoheni, u kishte thënë onkologu që kishte përgatitur ekipin për ta zhvilluar deri në metastazë kancerin që e injektoi në degë nga laboratori i Lumirit”, ka shkruar Veliu në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veliut:

Kronika e manipulimit të një procesi zgjedhor (1)

Një proces i ngutshëm dhe jo transparent
Kryetari i instaluar i LDK-së, “doku”, në mbledhjen e fundit të kryesisë së degës ua kishte bërë me dije anëtarëve të këtij organi se nuk i nevojiteshin në procesin e manipulimit të zgjedhjeve.
Dr. manipulatori kishte suspenduar kryesinë, e procesin zgjedhor ia kishte besuar grupit punues, në këtë rast, grupit të besueshëm manipulues.
Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor. Do të informoheni, u kishte thënë onkologu që kishte përgatitur ekipin për ta zhvilluar deri në metastazë kancerin që e injektoi në degë nga laboratori i Lumirit.
Dhe, jo më larg se të nesërmen, pas mbledhjes ku u suspendua kryesia, nisi procesi i manipulimeve me kuvende nëndegësh, me të ftuar specialë sipas listave të përpiluara nga grupi manipulues-kontrabandues i onkologut kancerogjen.
Që ditën e parë të prcesit manipulativ, kur u mbajt “kuvendi” i një nëndege pa u informuar anëtarësia e saj dhe duke u njoftuar se ky proces po monitorohej nga i deleguari i Lumirit, Xhafer Gashi, të njëjtin e kam kontaktuar përmes telefonit dhe i kam kërkuar që të përkujdesej për proces të rregullt e transparent zgjedhor. Një gjë të tillë ma premtoi edhe ai, por fjalën e mbajti derisa e mbyllëm bisedën.
Doli se Xhafa kishte ardhur ta bëjë të kundërtën, ta ndihmojë dr.manipulatorin dhe ekipin e tij që procesi të jetë sa më jo transparent dhe sa më klandestin.
Dr. manipulatori nuk publikoi orar të mbajtjes së kuvendeve sipas rregullave dhe praktikës së deritashme e as sipas modeleve të degëve të tjera (për ilustrim do t’ia bashkangjes këtij teksti dëshmitë me orare të publikuara nga dy degë) as nuk i informoi kryetarët e nëndegëve se kur duhej të mbanin kuvendet.
Ekipi kontrabandues i dr.maipulatorit me monitormanipuluesin Xhafer nuk duhej të publikonin orar takimesh, sepse kishin vendosur të zhvillojnë proces zgjedhor gueril. Për aksionet e tyre të pista anëtarësia dhe ndonjë kryetar nëndege merrnin vesh të nesërmen, ose pas dy tri ditësh, kur dikush nëpër kafehane do t’i pyeste “prej kur filani i LVV-së, PDK-së a AAK-së qenka bërë LDK e me shkue delegat në degë?”… Për guerilen e dr.manipulatorit nuk kishte rëndësi se cilit kamp politik i takonte, rëndësi kishte t’i bashkohej operacionit të skuadrës manipuluese-kontrabanduese “zgjedhore” në LDK.
Për dijeninë e anëtarësisë dhe simpatizanëve të LDK-së, që mbetën të përjashtuar nga procesi i rregullt zgjedhor në Llap, kaq për transparencën në procesin gueril të dr.manipulatorit dhe komandant Xhaferit.
LDK-istët e Llapit ditëve në vazhdim do të informohen edhe për marifetet e tjera nga kuzhina e dr.manipulatorit me sejmenët e tij në misionin e defaktorizimit deri në zhbërje të LDK-së në bastionin e saj për hatër të Lumirit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Clarissa Castek është emëruar zëvendësambasadore e Ambasadës Austriake në Kosovë.…