PROFESOR ISMAIL AHMEDI NA E RIZBULOI KOLOSIN E ATDHETARIZMIT E TË DITURISË, HAFIZ ALI KORÇËN

27 qershor 2023 | 21:45

Ismail Ahmedi, “Hafiz Ali Korça -jeta dhe vepra”, Logos A, 2020

Milazim KRASNIQI

Vepra studimore “Hafiz Ali Korça -jeta dhe vepra” e profesor Ismail Ahmedit inkuadrohet në ato përpjekje të pakta të studiuesve shqiptarë, që të ndriçohet e vlerësohet vepra dhe veprimtaria e njërës nga figurat më dinamike të periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare dhe e gjysmës së parë të shekullit XX, në kuadër të shtetit të pavarur shqiptar. Në të vërtetë, injorimi i kontributeve atdhetare dhe vlerave letrare e diturore të Hafiz Ali Korçës, nuk ka qenë një rast i izoluar, po ka qenë një qëndrim ideologjik dhe një politikë zyrtare, për të deformuar narrativën mbi kombformimin e shtetndërtimin shqiptar, si dhe mbi një segment të identitetit fetar. Për të përjashtuar nga kujtesa kombëtare një numër të madh të personaliteteve të shquara kombëtare e fetare, në fillim u eksperimentua me projektin e vesternizimit dhe të neoshqiptarizmit. Sado beninj që dukej, projekti i vesternizimit hodhi themelet e seleksionimit negativ dhe të revizionimit të së së vërtetës mbi kombin e shtetin shqiptar, si edhe mbi identitetin fetar të shumicës së shqiptarëve. Sado që në një formë latente, vesternizimi lëkundi identitetin,veçmas atë fetar dhe ashtu stimuloi klimën për triumfin e ideologjisë komuniste dhe të ndalimit zyrtar të besimeve fetare, që ndodhi më vonë. Ndërsa pas instalimit të regjimit komunist, u eksperimentua tragjikisht me projektin e komunizmit dhe të prodhimit të të ashtuquajtirut njeriu i ri socialist. Në atë mënyrë u deformua dhe u falsifikua në tërësi narrativa për kombin e shtetin shqiptar, e veçmas mbi identitetin fetar. Lufta ideologjike dhe shtetërore kundër besimeve fetare, në vitet gjashtëdhjetë e deri në fillim të viteve nëntëdhjetë, u shndërrua në një kryqëzatë shkatërrimtare.
Prandaj brenda atyre projekteve shfytyruese e shkatërruese, nuk mund të kishte vend as Hafiz Ali Korçën dhe atdhetarë të tjerë si ai, të cilët formulën themelore e kishin “për fe e atdhe.” Ata u anatemuan, u përjashtuan nga kujtesa kombëtare, u mbuluan me harrim. Vetë Hafiz Ali Korça kishte alarmuar për rrezikun e asaj ideologjie antikombëtare e antifetare, që në vitin 1925, me trakatatin e tij me titull “ “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit.” Nuk mund të mos ishte viktimë e bolshevizmit, një paralajmërues aq i përpiktë i rrezikut të bolshevizmit.
Prandaj që në fillim po e theksoj se merita e Prof. Ismail Ahmedit për rikthimin e vëmendjes tek ky autor atdhetar e vizionar, me studimin monografik mbi jetën dhe veprën e Hafiz Ali Korçës, është për t’u lavdëruar dhe për t’u vlerësuar shumë. Prof. Ismail Ahmedi është nga të parët dhe të paktët studiues që i janë rithyer përpjekjes për ta rivlerësuar një pjesë të kujtesës kulturore e historike, e cila ishte ndëshkuar me harrim dhe zhdukje.
Fatkeqësisht edhe studimi i profesorit ka kaluar një periudhë duke qenë i injoruar, sepse paraqiste një diskontinuitet me studimet e realizuara me seleksionim negativ të autorëve dhe të realizuar me metodën marksiste të studimit e hierarhizimit ideologjik.
Në studimin monografik “Hafiz Ali Korça Jeta dhe Vepra”, përkundër mungesës së një bibliografie më mbështetëse, Profesor Ismail Ahmedi ka trajtuar shumë ngjarje e detaje nga jeta e autorit dhe ka analizuar e vlerësuar veprat e tij letrare e diturore, me një pasion e kompetencë akademike, e cila meriton respekt të plotë. Mungesën e studimeve të veprës së këtij autori, Profesor Ahmedi e ka kompensuar me më shumë hulumtim personal, gjë që punën hulumtuese gjithmonë e bënë më të mundimshme. Pra i është dashur të trajtojë gjithë spektrin e aktiviteteve atdhetare e intelektuale dhe gjithë produksionin e autorit, gjë që nuk do të ishte i shtrënguar ta bënte, po qe se aspekte të asaj vepre dhe asaj verimatrie të ishin studiuar më herët nga autorë të tjerë. E mira e kësaj ngarkese që ka rënë mbi prof. Ismailin është se ajo punë e sforcuar i ka shërbyer për të përballuar më vonë me sukses edhe përgatitjen e botimit të veprës së plotë të hafiz Ali Korçës, me çka e ka kompletuar angazhimin e tij intelektual ndaj këtij personaliteti të shquar shqiptar.
Sa i përket strukturës së studimit monografik “Hafiz Ali Korça jeta dhe vepra”, ajo është brenda standardeve që zakonisht respektohen në nivelin e këtyre studimeve. Trajtimi fillon nga vendlindja e hafiz Ali Korçës, nga Korça, e cila ishte një vatër e arsimit dhe e atdhetarizmit në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Konkludimi është se dinamika diturore e atdhetare e Korçës ka pasur ndikim mbi hafiz Aliun, gjë që edhe është në pajtim me tezën e Arnold Hauzerit, i cili pati konstatuar lidhjet ndërmjet shkrimtarit e prejardhjes gjeografike. Edhe shkuarja e tij në Stamboll për studime, mund të vështrohet brenda kësaj linje, pra të ndikimit të gjeografisë përkatësisht ambientit konkret kulturor, ngase Stambolli në atë kohë ishte vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me rrezatim edhe mbi mërgatat e tjera nëpër botë. Elita intelektuale shqiptare që veproi në Stamboll në atë periudhë ishte e rangut botëror, si përnga formimi i saj ashtu edhe përnga kërkesat e formuluara, të cilat ishin brenda frymës së Iluminizmit dhe të Modernizmit. Brenda rrymimeve ekzistuese të asaj kohe, edhe orientimi ideologjik i hafiz Aliut përkatësisht afrimi me idetë xhonturke, kuptohet më qartë, pra si projekt modernizues, po edhe falë ndikimit që kishin shqiptarët në atë lëvizje, përfshirë edhe nxënës të vetë hafiz Aliut. Ndër faktorët e tjerë që patën ndikim në formimin e hafiz Ali Korçës e që na i zbulon studimi i Prof. Ahmedit janë edhe tradita, karakteri, pozita në shoqëri dhe besimi fetar.
Në vazhdën e kronologjisë së aktiviteteve të hafiz Aliut, autori i ka kushtuar një rëndësi të veçantë rolit të hafiz Aliut në Kongresin e Dibrës, pastaj angazhimit në projektin e madh të alfabetit, ndikimit në Kongresin e Elbasanit, zhvillimet që ndodhën lidhur me princ Vidin dhe roli e hafiz Aliut në Komisinë e Shkodrës. Të gjithë ato ngjarje ishin në kuadër të kërkimit të rrugëve të shtetndërtimit dhe të konsolidimit politik, arismor e kulturor të shtetit shqiptar.
Prof. Ismail Ahmedi na ka ndihmuar që ta kuptojmë jo vetëm rolin e hafiz Aliut në ato ngjarje, po edhe rëndësinë e atyre në sfondin e konfrontimeve, gabimeve dhe të konsolidimit të idesë së shqiptarizmit në shtetin e ri. Në fazën e avancuar të konsolidimit të shtetit, pas vitit 1925, qëndrimi ideologjik i hafiz Ali Korçës, në raport me idenë dhe projektin e bolshevizmit është posaçërisht i rëndësishëm, sepse ai qëndrim nuk ishte vetëm pragmatik, po doli të ishte edhe vizionar. Në një rast tjetër lidhur me këtë tekst a traktat, kam pasë këtë konstatim, të cilin ka dëshirë ta ndaj me ju edhe në këtë rast:
“Traktati “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit” i Hafiz Ali Korçës është botuar në mars të vitit 1925, por ka rënë në vesh të shurdhër si në kohën kur është botuar, ashtu edhe deri në ditët tona, duke qenë dëshmi e gjallë se shqiptarët e injoruan alarmin e autorit të saj. Arsyet e këtij injorimi kolosal ndaj një alarmi kaq të thekshëm, janë të shumta, po kësaj radhe po i veçojmë dy, e para, ne shqiptarët shpesh herë kemi një shprehi të refuzimit të dijes, veçmas asaj dije që e ka burimin te Shpalljet e Shenjta dhe e dyta, e kemi bërë si zakon që njëherë ta pësojmë e vetëm pastaj të përpiqemi të mësojmë. Këto dy arsye e kanë shkaktuar edhe injorimin pothuajse të plotë të traktatit vizionar të Ali Korçës. (…) Zërin e Hafiz Ali Korçës nga traktati “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit” ne duhet ta dëgjojmë edhe sot. Traktati i tij edhe sot na e thotë esencialisht të njëjtën gjë: botës mund t’i vijë shkatërrimi nga ekstremizmi ideologjik-fetar, nga konspiracionet dhe përgjithësisht nga ideologjia e terrorit. Sikur na thotë që farkuesit e bolshevizmit janë treguar kameleonik: kanë ndërruar ngjyrë, por taktikat e terrorit kundër lirisë dhe dinjitetit njerëzor, janë aktuale edhe sot.”
Pra edhe në këtë aspekt, merita e Prof. Ismail Ahmedit për përgatitjen e veprës së hafiz Aliut dhe rikthimin e vëmendjes së publikut edhe të traktati “Boshevizma e çkatërimi i njerëzimit”, është për t’u vlerësuar. Kjo vepër është fshehur, ndërsa autori jo vetëm është është anatemuar dhe injoruar, po edhe familja i është ndëshkuar në mënyrën barbare nga Inkuizicni komunist. Të dhënat që ka mbledhë Prof. Ahmedi nga dëshmitarë si nga Sabri Koçi, Ali Korça, Xhafer Shkodra, ia shtojnë veprës edhe dimensionin thjesht dokumentar mbi persekutimin barbar të hafiz Ali Korçës dhe të familjes së tij.
Jetën dhe veprën origjinale diturore, arsimore, publicistike e letrare të Hafiz Ali Korçës, Prof. Ismail Ahmedi e ka vështruar në tërë kronologjinë dhe gjerësinë e saj, duke përfshirë edhe publicistiken dhe përkthimet. Me këtë punë studimore Porf. Ahmedi e ka trasuar një rrugën për studime edhe më të thelluara dhe më të specializuara të saj nga studiues të tjerë.
Në këtë kontekst, më duket e logjikshme që të mendohet se një pëgjegjësi morale lidhir me studimin e veprës së hafiz Ali Korçës e kanë edhe medresetë dhe fakultetet e studimeve islame në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë e gjetkë. Rezervohem të bëj ndonjë vlerësim të punës së tyre eventuale kërkimore, pasi nuk kam të dhëna bibliografike mbi punën që mund të kenë bërë. Por, për vetë faktin që publiku filologjik nuk i ka në dispozicion, flet vetvetiu.
Në kushtet e lirisë, ku edhe liria akademike është e garantuar, nuk kemi pse ankohemi e pse presim vetëm nga të tjerët, që të bëjnë punë për rehabilitimin dhe vlerësimin e figurave të anatemuara e të margjinalizuara. Një pjesë të punës duhet ta bëjmë vetë. Me studimin e tij mbi jetën dhe veprën e hafiz Ali Korçës, Prof. Ismail Ahmedi është shembull për t’u ndjekur e për t’u vlerësuar.

Në Prishtinë, 19 maj 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milazim Ibrahimi, shpall të pablefshme dëftesat e klasës -I-, -II-,…