Poezi nga Ymret Reshiti
REFUGJAT
Nëse unë nuk jam më në zemrën tënde
Atëherë unë jam refugjat
që kërkoj një zemër
për atdhe.
ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO
Unë ta zgjas dorën
Ti ma zgjat vuajtjen
Pajtimi ynë është ëndrra ime
Trishtimi im është ëndrra jote
Në çfarë magjie paskemi shkelur ne?
Ëndërr e trishtim që bashkë t’i kemi.
ENDE
Të dua sikurse në çastin e parë
Edhe sikur ky çast të jetë çasti im i fundit
Se për mua ti ende je
vetëm fillim.
E KAM SHKELUR BETIMIN
Një mijë herë jam betuar mos të shkruaj më letra ty
Një mijë e një herë e kam shkelur atë betim
Dhe prapë kam vazhduar të të shkruaj
Çfarë magjie më ke bërë
Pa të shkruar
s’po mund të rri
NUK E PËRBALLOJ DOT
E vogël është zemra ime
për mundime kaq të mëdha
që m’i shkakton mendja jote
Për hatër të dashurisë
Largomë pak nga ato mundime
Ta rriti edhe pak zemrën
Të fus ty edhe më shumë brenda saj
Se nuk e përballoj vetminë
pa ty