Në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Sportit, Ademi uron: Të jeni realistë e kritikues për punën e mirë dhe jo të mirë, por asnjëherë propagandues

02 korrik 2023 | 10:32

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar gazetarët sportivë në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve të Sportit.

“Sot e festoni Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, andaj në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, me shpresë që të keni sa më shumë suksese në rrugën tuaj profesionale.”, ka shkruar Ademi.

Ademi ka kërkuar nga gazetarët sportivë që të janë kritikues e realist për punët e bëra.

“Ju ftoj që gjithmonë të jeni lavdues dhe inkurajues për punën e mirë që bëjmë dhe gjithmonë realist e kritikues për punën jo të mirë, por asnjëherë si takon medias sportive të jetë propaganduese!”, ka shkruar Ademi ndër tjera.

Urimi i plotë i Agim Ademit:

Të dashur gazetarë sportivë,

Sot e festoni Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë, andaj në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, me shpresë që të keni sa më shumë suksese në rrugën tuaj profesionale.

Futbolli është pika që na bashkon dhe me të cilin sport, ashtu sikurse ne, edhe ju jeni krenarë. Së bashku kemi punuar dhe kontribuar në mënyrë që futbolli të arrijë në nivelin e sotëm dhe të ketë paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, ne e dimë që kjo nuk është mjaftueshme, por kjo na inkurajon të punojmë edhe më shumë për të çuar futbollin në nivele të reja.

Gazetarët sportivë dhe mediat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sportit më të popullarizuar në vendin tonë. Prandaj, ju inkurajoj të shprehni të gjitha emocionet e kësaj loje dhe të përhapni çdo gjë që është në interes të publikut dhe që njëkohësisht e ndihmon rritjen e futbollit. Ju jeni ndërmjetësit e shkëlqyeshëm që e lidhin futbollin me opinionin gjithëpërfshirës.

Sikurse në çdo fushë tjetër të shoqërisë, edhe në mediat sportive shpesh futbolli është sulmuar padrejtësisht, duke i dhënë hapësira individëve pa kredibilitet e që nuk përfaqësojnë vlerat e këtij sporti.

Kritikat qëllimmira nga njerëz me autoritet janë të mirëpritura dhe na ndihmojnë që të rritemi tutje. Prandaj, jemi gjithmonë të hapur dhe vlerësojmë kritikat konstruktive dhe reflektuese, të cilat na mundësojnë që të përmirësohemi.

Ju ftoj që gjithmonë të jeni lavdues dhe inkurajues për punën e mirë që bëjmë dhe gjithmonë realist e kritikues për punën jo të mirë, por asnjëherë si takon medias sportive të jetë propaganduese!

Ashtu sikurse futbolli, edhe gazetaria sportive ka evoluar me kohën dhe me ndryshimet e rrethanave. Sot, ka shumë televizione dhe portale që i japin një hapësirë të madhe futbollit, duke e ndihmuar atë të zhvillohet edhe më tej.

Ky progres është i mirëpritur për lojën magjike të futbollit, pasi e bën atë më të afërt me publikun.

Nuk duhet të harrojmë faktin se gazetaria sportive në Kosovë ka prodhuar emra të shquar, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e opinionit, jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e futbollit në Kosovë, që nga vitet e vështira të okupimit e deri më sot.

Duke iu shprehur falënderime të sinqerta gjithsecilit prej jush për punën e palodhshme, ju uroj edhe një herë Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

Shpresoj që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet në të njëjtën kohë me sukseset tona.

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë natës sulmuesit në një makinë kanë përplasur shtëpinë e…