“Teatri dhe drama”, monografia e re e studiuesit Haqif Mulliqi

03 korrik 2023 | 08:51

Shtëpia botuese “Armagedoni” ka botuar monografinë “Teatri dhe drama (qasje antropologjike” të profesorit dhe dramaturgut të mirënjohur shqiptar, Haqif Mulliqi.

Libri në fjalë që nga dita e nesërme mund të jetë në duart e lexuesve dhe kureshtarëve të mendimit profesional dhe akademik për dramën dhe teatrin nga profesor Mulliqi.

Profesor Mulliqi ka shkruar mbi 300 kritika mbi dramën, filmin dhe teatrin. Për dhjetë vjet të plota, në Radio Televizionin e Kosovës, ishte autor dhe drejtues i emisionit për film dhe teatër ‘Pro arte.’

Nëpër teatrot më të njohura shqiptare, ka vënë në skenë rreth 25 vepra ndërsa, ka marrë pjesë në mbi 80 festivale të ndryshme, kombëtare si dhe në ato, më të njohurat, ndërkombëtare me ç’rast ka fituar një numër çmimesh. Më i rëndësishmi është ai kur, në edicionin e 58-të të Festivalit Teatror të Edinburgut (Skoci, 2004), ku, me shfaqjen (tregjuhëshe) The Kosowars, nga juria e përbërë nga kritikët e gazetës The Scotsman, si dhe aktorët më eminentë të Teatrit Kombëtar Skocez, u rangua në dhjetëshen e parë të shfaqjeve më të mirë të atij viti, e që është çmimi kryesor që jepet në atë festival.

Librat e tij artistik dhe studimorë janë pjesë e programeve akademike brenda dhe jashtë Kosovës si literaturë e obligueshme. Në vitin 2018, në konkursin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, për veprën Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë, e fitoi çmimin letrar “Ibrahim Rugova”, për krijimtarinë më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë. Është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës dhe anëtar i Bordit.

Profesor Mulliqi ka doktoruar në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë, në fushën e antropologjisë së dramës dhe të teatrit, me temën: Teatri, Drama dhe Identiteti Kulturor në Kosovë (2015). Është profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar edhe në disa universitete të tjera si ligjërues i jashtëm.

Sipas njohësve të dramaturgjisë dhe teatrit shqiptar, profesor Haqif Mulliqi është një nga profesorët e paktë të Universitetit të Prishtinës që do ta meritonte titullin “Profesor Emeritus”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë…