Arrestohen dy të dyshuar për disa raste kriminale

05 korrik 2023 | 18:28

Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht, njësiti i hetimeve të përgjithshme, ka arrestuar dy të dyshuar për veprat penale; Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm,​ mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, ​detyrim, si dhe zjarr vënie.

Rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore të këtij viti, ndërkohë që ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe veprimeve të tjera operative të kryera nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, ka rezultuar me identifikimin si dhe arrestimin e të dyshuarve; S. Z. 53 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, si dhe E. Z. 26 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, për të cilët dyshohet me bazë të jenë përfshirë në rastet në fjalë.

Operacioni është përcjellë edhe me bastisjen e katër lokacioneve të ndryshme, tri në komunën e Malishevës, ndërkaq një në komunën e Prishtinës, me ç’rast në cilësinë e provës materiale, policia gjeti dhe sekuestroi; Një armë të gjatë të tipit, M-48, një revole të tipit TT, e kalibri 7.62mm, gjashtë copë fishekë të kalibrit 7.62mm, tridhjetedy fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe dyzetekatër gëzhoja të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Përgjatë bastisjeve, policia ka konfiskuar edhe një automjet të tipit pikc-up, që dyshohet të jetë shfrytëzuar nga të dyshuarit gjatë kryerjes së veprave.

Të dyshuarit, pas arrestimit, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërguan në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim policët…