AAK-ja në pritje të përgjigjes për mocionin, Lekaj s’përjashton protestat për rrëzimin e Qeverisë

06 korrik 2023 | 15:08

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se mocioni i propozuar nga kjo parti nuk ka gjetur përkrahjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës deri më tani.

Sipas tij, ata janë munduar që të krijojnë një front të përbashkët opozitar mirëpo që deri më tani nuk kjo nuk ka ndodhur.

Ai tha për Ekonomia Online se pritet që në ditët në vijim të diskutojnë për mocionin edhe për veprime të mëtutjeshme politike e demokratike për të rrëzuar Qeverinë Kurti.

“Sa i përket mocionit Aleanca e ka marrë një vendim që të kemi një mocion për Qeverinë e Kosovës mirëpo fatkeqësisht nuk është përkrahur nga dy subjektet politike PDK e LDK. Ne jemi munduar që të komunikojmë dhe të kemi një front të përbashkët opozitar por po shihet se ende nuk kemi bërë zgjidhje sa i përket frontit opozitar”.

“Mirëpo shpresoj që në ditët në vijim do të ulemi e do të bisedojmë edhe për mocion edhe për veprime të mëtutjeshme që do të jenë veprime politike, demokratike që për ta qortuar Qeverinë e Kosovës. Nëse vazhdon kështu nëse do të kemi prapë ndëshkime edhe nga ShBA-ja atëherë nuk dihet se çka i ka mbetur këtij kryeministri përpos të shkojë në shtëpi”, tha Lekaj.

Ai tha se deri më tani opozita nuk i ka numrat për mocion, por do të përdorin edhe forma të tjera duke mos përjashtuar edhe protestat që ta rrëzojnë qeverinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten rreth orës 12:45, treni ka goditur një veturë…