ZPS-ja dorëzon listën e 12 dëshmitarëve të radhës në rastin e liderëve të UÇK-së

06 korrik 2023 | 16:41

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Lajmin e ka bërë me dije shefja për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep përmes informimit javor për media në platformën “Zoom”.

“Më 28 qershor Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët”, ka thënë Griep.

Ajo ka sqaruar se lista përmban edhe dëshmitarë rezervë. Duke sqaruar se prokuroria ka zvogëluar kohën e parashikuar që duhet për të marrë në pyetje tetë prej këtyre dëshmitarëve.

“Emrat e dëshmitarëve janë dorëzuar si pjesë e një shtojce konfidenciale”, ka deklaruar ajo.

Më tutje, ajo ka njoftuar se seancat gjyqësore ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojnë javën e ardhshme, nga 9 korriku.

Në këtë komunikim, Griep ka informuar edhe për çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, ku gjatë kësaj jave ishin intervistuar dy ekspertë mjeko-ligjor.

“Dy ekspertë mjeko-ligjor dhanë dëshminë pa masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë publike. Ata ishin dëshmitari i nëntë dhe i dhjetë të thirrur nga Prokuroria për këtë çështje gjyqësore. Dëshmitarëve i ka drejtuar pyetje prokuroria, mbrojtja, mbrojtësi i viktimave dhe gjykatësit”, është shprehur ajo.

Për seancat në çështjen Shala, ajo ka bërë me dije se priten të rifillojnë më 21 gusht 2023 në orën 09:30.

Po ashtu, Griep ka informuar se pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit, prokuroria pritet të përfundojë paraqitjen e provave të veta.

“Më pas, në varësi të rezultatit të ndonjë mocioni prej mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, 21 gushti është data në të cilën synohet fillimi i paraqitjes së provave nga mbrojtësi i viktimave nëse dëshiron”, ka thënë ajo, duke shtuar se trupi gjykues e ka caktuar 18 shtatorin si datë në të cilën synohet të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja në rastin e Shalës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 07.07.2023 Punime të…