Kurti – Rama: Mospajtime politike apo inate personale?

07 korrik 2023 | 12:40

Përplasjet verbale në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, kanë të bëjnë me çështje politike, por nuk përjashtohen as ato personale, thonë analistët.

Mospajtimet e dy udhëheqësve kanë kulmuar më 6 korrik, kur Kurti ka refuzuar të takonte Ramën, i cili ka qëndruar për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Një ditë më herët, Kurti, ka thënë se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve.

Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk ishte mbajtur, pasi Rama ka kërkuar që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe është përkeqësuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot”, kishte thënë Rama muajin e kaluar.

Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, më 6 korrik, Rama ka thënë se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, por se kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive është anuluar paarsyeshëm.

“Prandaj, unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të të dyja qeverive, por jo takime të tjera”, ka thënë Kurti më 5 korrik.

Hasani: Rama perceptohet si “pykë” e një pabesie

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, ka vlerësuar se përplasjet Kurti-Rama ndodhin për arsye objektive dhe subjektive.

E para, sipas tij, lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ka thënë Hasani, Rama po përpiqet ta luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal.

Sipas tij, ai po përpiqet të ndërmjetësojë në mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”.

Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet në mes të dy kryeministrave, sipas Hasanit, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tash, por edhe më herët”.

Sipas tij, janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si nj lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i qeverisë së Kurtit”.

“Por, Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar ose në dështim e sipër. Kjo është esenca e problemit”, ka thënë Hasani për “Radion Evropa e Lirë”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, ka përmendur pikërisht tri momentet, të cilave iu referohet edhe Hasani, si arsye subjektive të përplasjeve Kurti-Rama.

Ato “e kanë dëmtuar Kosovën”, ka thënë Konjfuca për mediet, pas takimit me Ramën.

Ndërsa Rama e ka quajtur  Konjufcën “djalë simpatik”.

 

Iljazaj: Rama ka të drejtë, por e ekzagjeron me protagonizëm

Ervis Iljazaj, profesor i shkencave politike në Universitetin Evropian të Tiranës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka “sjellje paternaliste” ndaj autoriteteve të Kosovës, ngjashëm sikurse edhe kryeministrat e mëhershëm shqiptarë.

Sipas Iljazajt, Rama ndjek një linjë politike që dallon nga ajo e Kurtit, për sa u përket çështjeve të Kosovës. Por, siç ka thënë ai, kjo nuk e justifikon faktin që ata të mos takohen.

Kurti, ka thënë Iljazaj, pretendon që Rama duhet t’i mbështesë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në sfidat që ka në veri, me Serbinë, por edhe në raportet e krijuara me partnerët perëndimorë.

Iljazaj ka thënë se Shqipëria deri më tash, përmes politikës së Ramës, është sjellë si shtet neutral dhe jo si palë në konflikt.

“Mendoj se Rama, në këtë çështjen e Kosovës, në këtë rast ka të drejtë. Pastaj, sigurisht se ai e ekzagjeron me protagonizmat e tij. Sigurisht që ka interesat e tij personale, të pushtetit të tij personal, për të marrë rolin e protagonizmit në rajon, edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo duket qartë”.

“Po, mesa duket, Albin Kurti këtë gjë nuk ia ka ‘falur’ Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama, sepse ndoshta ka pretenduar që Rama dhe Qeveria shqiptare duhet ta ndjekin në politikën e tij”, ka thënë Iljazaj.

Prej kur datojnë mosmarrëveshjet?

Në verën e vitit 2018, mekanizma të ndryshëm shpërfaqën idenë e “korrigjimit” apo “përcaktimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Kurti, asokohe, e kishte kritikuar Ramën për mbështetjen e kësaj ideje.

Në dhjetor të po atij viti, Kurti kishte mbështetur protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim.

Më 10 tetor të vitit 2019, pastaj, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan një deklaratë që çoi drejt marrëveshjes për “Mini-Schengenin” ballkanik, e që më vonë u riemërua si “Ballkan i Hapur”.

 

Kurti, asokohe kandidat për kryeministër të Kosovës e pari kundërshtuar nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e krejt në fund edhe Serbinë.

Këtë nismë e patën kundërshtuar edhe udhëheqës të tjerë politikë në Kosovë.

Më 25 prill, 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, kishte garuar në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, por mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë e pati fituar Rama.

Kurti dhe Rama i kanë shprehur publikisht edhe mospajtimet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit komuniteti ndërkombëtar insiston në vazhdimësi.

Muajin e kaluar, Rama ka thënë se ka dorëzuar një propozim të draft-statutit të këtij asociacioni te zyrtarët e lartë të BE-së, si dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe te presidenti francez, Emmanuel Macron – gjë që ka ngjallur pakënaqësi te Kurti dhe autoritetet e tjera të Kosovës.

Po inate personale?

Profesori Hasani ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës, aktualisht, po vepron sipas logjikës së “arsyes shtetërore”, për t’i mbrojtur ato që i konsideron “interesa shtetërore”. Sjelljet e Ramës, “duke iu qasur Kosovës thuajse nuk është shtet”, i dëmtojnë këto interesa, ka thënë Hasani.

Megjithatë, ai nuk beson se mospajtimet e dy kryeministrave lidhen edhe me inate personale.

“Jo, nuk janë shndërruar… Ato (inatet personale) kanë qenë të tejkaluara shumëfish dhe kanë pasur raporte shumë të përzemërta ideologjike. Dhe i kanë akoma. Unë pres që ata, në një moment, prapë të vijnë në pikën e njëjtë – edhe Kurti, por edhe Rama – sepse të dy janë të majtë të devotshëm”, ka thënë Hasani.

Por, profesori Iljazaj mendon ndryshe.

“Po t’i shikosh, që të dy janë politikanë me mbështetje të madhe, për momentin. Janë politikanë me karizëm të fortë, që të dy. Kështu që, sigurisht, ka edhe një përplasje egosh, ka një garë protagonizmi të botës shqiptare të këtyre dy politikanëve”, ka thënë ai.

Hasani dhe Iljazaj pajtohen se përplasjet ndërmjet Kurtit dhe Ramës nuk do të çojnë në ndonjë çarje serioze të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Unë dhe Albin Kurti kemi të njëjtin qëllim, qind për qind. Dallojmë tek ajo se si arrihet qëllimi”, ka thënë Rama më 6 korrik, duke komentuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili tash për tash ka ngecur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka…