Qeveria pajtohet me propozimet e Panelit, i dërgon në Kuvend dy propozimet për guvernatorin e BQK-së

07 korrik 2023 | 22:35

Paneli zgjedhor për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore ka dërguar në Qeveri dy emrat e kandidatëve me më shumë pikë, të përzgjedhur për këtë pozitë.

Menjëherë pas kësaj Qeveria e Republikës së Kosovës, ka dhënë mendim dhe është pajtuar me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit që Vendimin t’ia dërgojë Kuvendit të Republikës së Kosovës.”, thuhet në vendimin që ka marrë të premten Qeveria e Kosovës.

Pak orë më parë Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore ka dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, listën e kandidatëve të përzgjedhur si në vijim:

Ahmet Ismaili – (84.67 pikë, nga 100 maksimale),

Lulzim Ismajli – (73.67 pikë, nga 100 maksimale).

Ndryshe, pas përfundimit të mandatit të Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmetit, ushtrues detyre i Guvernatorit erdhi Bashkim Nurboja, kryetar i Bordit të BQK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drafti që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka dorëzuar…