SPAK kërkon nga Kuvendi autorizim për arrestimin e Arben Ahmetaj

10 korrik 2023 | 13:41

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Kërkesa mban datën 7 korrik dhe nënshkrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

SPAK thekson se kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.

Arben Ahmetaj akuzohet për “Mosdeklarim apo fshehje të pasurive”, “Korrupsion pasiv” si dhe “Pastrim parash”.

Hetimet ndaj Arben Ahmetajt nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria e Posaçme thekson se “vazhdon hetimi në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar”.

Edhe pse zyrtarisht nuk është saktësuar për çfarë akuzohet Ahmetaj, mediet në Shqipëri kanë raportuar se bëhet fjalë për procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.

Në vitin 2015 qeveria akordoi një kontratë për ndërtimin e këtij incineratori me procedurë emergjente. Djegësit masivë të mbeturinave, në Shqipëri njihen si inceneratorë.

Shkresa e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani për Kuvendin e Shqipërisë thekson nevojën “për të ruajtur sekretin hetimor” dhe kërkon që procedura e shqyrtimit të dokumenteve nga Këshilli i Mandateve të bëhet pa praninë e publikut për shkak se, “hetimet vijojnë për persona dhe fakte të tjera”.

Pas kësaj kërkese pritet mbledhja e Këshilli të Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ministrit të…