![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/07/IMG_7456.jpeg)
Çitaku i reagon Kusari-Lilës: Enver Zymberi është ai polici hero, me shokë shumë
Sot Nacionale ka publikuar episodin e tretë të përgjimeve, ku Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, flet me Slavko Simiqin, ish-deputet i Listës Serbe, ku e kritikon Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, për fryerje të listës së veteranëve të UÇK-së.
Përveç këtyre, Kusari-Lila ka bërë edhe një deklaratë skandaloze. Ajo e uli veprën e Enver Zymberit, heroit të Kosovës, që ishte shpallur nga presidentja Atifete Jahjaga, i cili ra në krye të detyrës gjatë aksionit në veri në korrik të vitit 2011, që kishte për qëllim vënien nën komandë të pikave doganore 1 dhe 31.
Zonja Kusari e cilësoi rënien heroike të Zymberit si “atë policin Enver Zymberi që e kanë vrarë”.
Në lidhje me këtë ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Me anë të një postimi në Facebook, Çitaku ia kujtoi Kusari-Lilës historinë e rëniës së Zymberit.
“Pas shkeljeve të vazhdueshme që po u bënte Serbia marrëveshjeve të CEFTA, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës pati vendosur masat e reciprocitetit.
Meqë pika 1 dhe 31 në pjesën veriore të vendit menagjohej nga EULEX, zyrtatët e BE refuzuan të zbatojnë vendimet e Qeverisë së Republikës”, ka shkruar ajo.
“Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në atë moment vendosi të dërgoj njësinë ROSU në veri. Bandat kriminale u organizuan dhe aty Enver Zymberi mori plagët që i sollën vdekjen.
Por, misioni nuk u zbraps. Sot e atë ditë, policët dhe doganierët tanë janë në dy pikat kufitare në veri të vendit”, ka shkruar Çitaku.
Tutje, ajo tha se Enver Zymberi ishte hero, me shokë shumë.