I lidhi me “luftën hibride të Serbisë” përgjimet dhe protestën e veteranëve, Sveçla nxit reagime me deklaratën skandaloze

15 korrik 2023 | 17:24

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla nxiti një “mal” me reagime pasi e lidhi protestën e veteranëve sot dhe përgjimet e publikuara mes shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me nënkryetarin e Listës Srpska, Sllavko Simiq, me “luftën hibride” të presidentit serb Vuçiq kundër Kosovës.

Sveçla sulmoi edhe mediat, duke përmendur me emër të përveçëm edhe gazetarë.

“Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.
Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, shkroi ai ndër të tjera.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi reagoi ashpër, duke e cilësuar si  skandaloze, fyese dhe nxitëse deklaratën e ministrit Xhelal Sfeçla.

“Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë, që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heqë vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Përgjimet dëshmuan se kush me kë po koordinohet dhe me kë po bashkëpunon – edhe në dëm të interesit të vendit”, tha Krasniqi ndër të tjera.

Reaguan edhe kreu i LDK-së e ai i AAK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur deklaratë  të pamatur dhe nxitëse atë të Sveçlës.

“Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese e Ministrit të Punëve të Brendshme. Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i ish luftëtarëve – edhe nëse s’pajtohemi me ta – është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë.

Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë.

Kjo gjuhë, e dhënë tani, kërkon përplasje. Kërkon dhunë e kërkon krizë. Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë”, shkroi Abdixhiku ndër të tjera.

Ndërkaq kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, të mos e ndajë e mos e përçajë popullin, por t’i lë njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre,.

Hardinaj përmes një postimi në Facebook i thotë Kurtit se nuk e kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita, por e ka vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohet ta sundojë atë.

“Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin.

Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve.

Nuk ta kanë fajin veteranët, as shoqëria civile, as mediat, as gazetarët e as opozita! Fajin e ke vet që nuk po qeverisë me vendin, por po mundohesh ta sundosh atë.

Unë sot jam me të gjithë ata që protestojnë në sheshet e Prishtinës!”, shkroi Haradinaj.

Ndaj deklaratave të Sveçlës reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës .

AGK ka thënë se Sveçla ka përdorur gjuhë e rrezikshme ndaj mediave dhe gazetarëve.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e [Listës] Srpska, Sllavko Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, [Aleksandar] Vuçiq”.

Për AGK-në, “gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediat”.

Sot do të protestohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00.

Në njoftimin e publikuar, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiç-in” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”.

“Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiç-in kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”.

Sipas organizatorëve të protestës në fjalë, Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi Fero ditë më parë është arrestuar nga autoritetet nën…