Po përpiqemi ta bindim Qeverinë e Kosovës ta shohë ShBA-në si partnere primare

19 korrik 2023 | 08:24

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, tha se janë të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me ShBA-në dhe komunitetin transatlantik.

Ai në raportimin para Kongresit Amerikan deklaroi se po përpiqen në mënyrë aktive ta bindin Qeverinë e Kosovës ta shohë ShBA-në si partnere primare.

“I kemi bërë kërkesat tona në mënyrë shumë të qartë, shumë të zëshme, BE në anën e tyre, ka vendosur pasoja, edhe ne, ne e kemi tërhequr Kosovën nga një ushtrim shumë i madh ndërkombëtar ushtarak si reagim ndaj kësaj dhe kërkojmë mënyra të tjera të partneritetit me një prej aleatëve tanë më të afërt në rajon. Më duhet ta them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-në por me gjithë komunitetin transatlantik dhe kjo përfshinë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Europian, NATO-n , QUINT-in dhe fqinjtë, Shoqërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Escobari.

“Prapë po kërkojmë në mënyrë aktive, mënyrë të cilën mund ta bindim Qeverinë që t’i shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon dhe përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës, nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta”, shtoi diplomati amerikan.

Megjithëse Qeveria e Kosovës u mor vesh me Bashkimin Europian për disa hapa për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se “ende nuk ka një përkushtim të plotë të Kosovës por pajtohemi me Kosovën për shume standarde demokratike që ajo dëshiron të zbatojë dhe pajtohemi me Kosovën se ata që sulmuan gazetarët, policët e Kosovës dhe trupat e KFOR-it duhet të dënohen”.

“Por edhe më tej do të donim të shihnim harmonizim më të madh me planin evropian”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet ukrainase njoftuan se kanë zmbrapsur një sulm me dronë…