Oficeri britanik: Detyra parësore ishte të përcaktonim fatin e 47 personave të zhdukur

19 korrik 2023 | 14:58

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në seancën gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së, oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge u shpreh se detyra parësore ka qenë që të përcaktohet vendndodhja e 47 personave të zhdukur.

Kështu dëshmitari deklaroi gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Kadri Veselit, e cila u interesua të di më shumë për kompetencat që ai kishte gjatë shërbimit të tij në periudhën e luftës në Kosovë.

Avokati i Kadri Veselit, Andrew Stronge pyeti oficerin ushtarak britanik që shërbeu gjatë luftës në Kosovë për kompetenca që kishte ai gjatë periudhës së luftës, shkruan KosovaPress.

Oficeri britanik u shpreh se ai fillimisht ishte një oficer i operativës dhe si detyrë kishte pajisjen e njerëzve të misionit me radio-lidhje si dhe të raportonte për incidentet në zinxhirin komandues.

Ai, tutje theksoi se detyra parësore e ekipit të tij ishte të përcaktonin fatin e 47 personave të zhdukur që kishte ndodhur në zonën ku ai e mbulonte.

Gjatë parashtrimit të kundra-pyetjeve, mbrojtja e Veselit kërkoi të dijë më shumë për provokimet dhe telefonatat që kishin marrë familjet e viktimave nga Serbia si dhe programet televizive që ishin përdorur për të stimuluar emocionet.

Avokati i Veselit, Andrew Stronge vazhdoi të parashtrojë pyetje karshi dëshmitarit për sfidat që ishin ballafaquar për grumbullimin e informacioneve të sakta.

Stronge kërkoi të dijë se a ka ekzistuar rreziku që një pjesë e informacionit që kishin marr si mision në atë zonë mund të ishte nxjerr përmes torturës.

E këtë e kundërshtoi oficeri britanik, i cili tha se bashkëbiseduesit serbë nuk ishin të torturuar.

Pas kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Kadri Veselit, me pyetje për dëshmitarin e 14-të të ZPS-së vazhdoi mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa pyetjet për oficerin britanik nuk pati mbrojtja e Rexhep Selimit.

Në seancën e sotme kundra-pyetjet për Francis Ledwidge i përfundoi edhe mbrojtja e Thaçit.

Oficeri ushtarak britanik, Francis Ledwidge dëshminë e tij para Speciales nisi gjatë seancës së djeshme, kur ndaj tij parashtroi pyetje ZPS, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk kishte pyetje për dëshmitarin e 14-të në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, kur të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.  Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Besnik Berisha në konferencën e mbajtur të mërkurën është…