Kuzhinieri e rrah kamerierin në “Banana Center”, pronari i largon të dy nga puna

24 korrik 2023 | 15:39

Konfliktet në vendet e punës janë incidente goxha të shpeshta që ndodhin në biznese të ndryshme në Kosovë. Mosmarrëveshjet për punë shpesh eskalojnë edhe në kanosje e përleshje dhe për pasojë përfundojnë si raste në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në qendrën tregtare “Banana Center” në Istog, raporton Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë dy persona, punëtorë të kësaj qendre, të cilët janë futur në sherr pas një zënke që dyshohet se kanë pasur lidhur me punën.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një kamerier dhe një kuzhinier, me ç’rast ky i fundit ka përfunduar në ndalim policor pasi u denoncua për sulm dhe kanosje ndaj kolegut të tij.

I dyshuari A.Ç., po dyshohet se fillimisht pati një debat verbal me kolegun e tij, të cilin më pas e ka sulmuar, duke e kapur për fyti e madje e ka paralajmëruar se e pëson keq.

Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar incidentin në Polici, me ç’rast palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor për veprat “Sulm” dhe “Kanosje”.

Rasti është konfirmuar edhe nga qendra tregtare, me ç’rast pronari ka bërë të ditur se dy punëtorët që janë përfshirë në këtë përleshje tashmë janë larguar nga puna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi Leotrim Bekteshi është futbollisti më i ri i skuadrës…