74 policë të rinj nisin shërbimin në Veri, 45 prej tyre serbë

25 korrik 2023 | 10:47

Të hënën e 24 korrikut, 74 policë të rinj kanë nisur punën në Veri të Kosovës, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se 45 prej tyre janë të komunitetit serb.

“Punën e kanë nisur të hënën. 45 prej tyre janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, tre turq dhe tetë pjestarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”.

Ai tutje ka sqaruar se të njëjtit do të vazhdojnë të stërviten.

“Ata do të vazhdojnë të stërviten edhe për dy apo tre muajt e ardhshëm”, deklaroi Elshani për AP.

Policët e rinj janë pjesë e gjeneratës së 58-të të cilët diplomuan më 14 korrik.

Që nga nëntori i vitit 2022, mbi 550 pjesëtarë të policisë në Veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat nga targat serbe me targa të Kosovës.

Konkursi për të pranuar policë të rinj në këtë pjesë ishte hapur në janar, pastaj ishte shtyrë deri më 10 shkurt, për shkak të mos-aplikimit nga të rinjtë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe kishte nisur edhe një fushatë “për rëndësinë e konkursit”, e cila u mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare dhe të ambasadave.

Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person S.B është arrestuar pasi ka bërë kallëzim të…