Dhoma e Tregtisë kërkon që të përmirësohen kushtet në vendin e punës

26 korrik 2023 | 13:12

Vlerësimi i riskut në vendin e punës, mundësitë e zhvillimit të biznesit në vend, përmirësimi i kushteve në vendin e punës si dhe ikja e punëtorëve jashtë vendit ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësueseve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Përfaqësueset e Dhomës së Tregtisë u shprehën të hapura për bashkëpunim profesional me Inspektoratin e Punës me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe inputeve drejtpërdrejt nga bizneset, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që hasin operatorët ekonomik gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Drejtoresha e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Zana Beqiri, ka theksuar se me kërkesën e bizneseve DHTIK-ja ka në fokus ngritjen e vetëdijes për respektimin e ligjit respektivisht rregulloreve të punës nga ana e bizneseve dhe punëtoreve.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, ka bërë me dije se është i gatshëm për bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ku i njëjti ka rekomanduar mbajtjen e trajnimeve me qëllim të këshillimit të bizneseve si punëdhënës dhe punëmarrësve rreth përgjegjësive dhe respektimit të të drejtave në vendin e punës.

Përfaqësueset e Dhomës së Tregtisë kanë thënë se besojnë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje përmirësimit të kushteve të punës në vend.

“Kjo konsiderojmë mund të realizohet përmes masave të ndryshme siç janë përmirësimi i mekanizmave kontrollues, rritja e personelit në inspektoratin e punës, certifikimi i trajnuesve profesionistë të punësimit etj. DHTIK konsideron se krahas projekteve për përmirësimin e cilësisë së produkteve që ndihmon në rritjen e tregut, të rinjtë kosovarë duhet që gjithashtu të ndryshojnë perceptimin e mjedisit të punës në vend, në mënyrë që të zvogëlojmë numrin e të rinjve që lëshojnë vendin në kërkim të një mjedisi që ofron mirëqenie dhe respektim më të madh të ligjit”, kanë theksuar përfaqësueset e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ferrari po kalon një tjetër krizë në botërorin e Formula…