15 punëtorë vdiqën në vendin e punës sivjet, qindra tjerë u lënduan

27 korrik 2023 | 13:20

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nga lëndimet e marra në vendin e punës kanë vdekur 15 persona.

Kryetrari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Gazetën Express, se përveç rasteve që përfundojnë me fatalitet, ka edhe qindra raste të tjera të lëndimeve.

Madje Azemi, tha se ka raste, kur punëtorët e kompanive private u bëjnë presion punëtorëve të lënduar që të mos i lajmërojnë rastet në polici.

“Asnjëherë nuk mund të ketë një shifër e saktë sepse ka lëndime të përgjithshme, ndoshta me qindra lëndime brenda ditës. Kryesisht lëndimet, pronarët e kompanive u bëjnë presion punëtorëve që mos të deklarohen se janë lënduar në vendet e tyre të punës por në një vend diku tjetër. Sa i përket rasteve të vdekjeve, sivjet është numri më i madh prej se ne i kemi statistikat, po flasim për periudhën gjashtë mujore. Nëse mund të themi tani edhe për muajin korrik, kemi 15 raste të vdekjeve në vendet e tyre të punës. Realisht në vitin e kaluar, 2022 dhe 2021 nuk ka qenë ndërtimtaria prioritet por këtë vit kryesisht rreth 70% e këtyre punëtorëve kanë vdekur në ndërtimtari”, ka thënë Azemi.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kanë thënë se punëtorët më të rrezikuar në vendin e punës janë ata të ndërtimtarisë.

Për të evituar rastet e lëndimit dhe vdekjeve në vendin e punës është duke u kërkuar shtimi i inspektorëve në terren.

Nga KMDLNj thonë se duhet që të ketë edhe gjoba më të larta.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Express se lidhur me veprën penale “Asgjësim, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, në tre muajt e parë të këtij viti janë hapur 39 raste.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kanë qenë…